Ismajl Bekteshi tërë ditën e kalon në kodrat e mëdha të Gllogovicës.
Ato që i bëjnë shoqëri janë vetëm delet, sepse shokët e tij, pothuajse të gjithë janë shpërngulur.
Ismajl Bekteshi, nga fshati Gllogovicë, ka rrëfyer për jetën e vështirë në këtë vend. Ai ka thënë se të ardhurat e vetme janë nga bagëtia që mban.
“Të parët tonë kanë jetuar me punët e këtij fshati. Qeveria nuk po na ndihmon. Po të na ndihmonte qeveria do t’i shumonim më shumë delet dhe do të fitonim më shumë”, thotë Ismajl Bekteshi për RTV Dukagjinin.
Për të shkuar tek ky vend, duhet të kalosh pothuajse gjithë fshatrat e Gollakut. Ai gjendët i fshehur aty mes bjeshkëve.
Ismajl Bekteshit, ka thënë se dikur ky fshat kishte 80 shtëpi, ndërsa sot kanë mbet vetëm tetë prej tyre.
Sipas tij, çdoherë banorët e këtushëm janë marrë me blegtori, sepse natyra ka qenë e frytshme.
“Për të jetuar kohët e mëhershme kanë qenë më të lehta, sepse punonte një jetonin dhjetë veta. Tash duhet të punojnë të gjithë. Është më mirë që duhet të punojnë, por nuk po kanë mundësi ku të punojnë se nuk po kanë punë. Jam duke u frikuar se këta të ri do të vdesin nga uria. Këta të huajt janë duke u çuditur me neve. Ata nuk i lënë të shkojnë kot as murrizat. Te na gjithçka është prishur. Malet janë prerë, pemët janë tharë, shtëpiat u prishën. Pastaj edhe pas lufte njerëzit u shkapërderdhën…”, thotë më tej Ismajl Bekteshi.
55 vjeçari, me shkop në dorë kalon ditët kodrave të fshatit me delet, që kishin mbetur shoqëria më e mirë e tij. /Telegrafi/