Të lumtur që kanë lënë pas orët e tmerrit në Kabul, dhe të shqetësuar për të afërmit që ndodhen ende atje.
Një konfuzion ndjenjash i përshkon afganët e sapombërritur në Shqipëri e të akomoduar në Qytetin Studenti në Tiranë.
Fëmijët që i janë rikthyer botës së tyre të lojrave.
Por të rriturit e dinë që ky është vetëm fillimi.
“Faleminderit shumë Shqipërisë, situata në Afganistan është shumë e rrezikshme. Unë jam gazetar, ndërsa bashkëshortja ime pedagoge. Vetëm disa pjesëtarë nga familja kemi ardhur këtu”.
“Udhëtimi shkoi shumë mirë, falë Zotit. Vetëm unë dhe bashkëshortja ime jemi në Shqipëri. Ajo është gazetare dhe ka punuar përkrah SHBA”.
E qetë dhe e sigurt ndihet kjo studente që ka ardhur së bashku me familjen.
“Jam e lumtur! Ndodhem këtu prej gati 3 ditësh së bashku me familjen. Tashmë e ardhmja ime është më e sigurt dhe e qartë. Atje isha studente ne Universitetin Amerikan të Afganistanit dhe punoja gjithashtu”.
Në Qytetin Studenti janë akomoduar 290 qytetarë nga Afganistani, të cilët do të qëndrojnë aty përkohësisht, për t’u zhvendosur më pas në strukturat hoteliere të Durrësit dhe të Lezhës./TV Klan