Site icon Telegrafi

Jeta dhe veprat e Miltonit

Nga: Klodian Briçi

Shpeshherë poezinë e cilësojmë si krijim që ka pak lidhje me gjërat e përditshme dhe shumë njerëz ende e kanë këtë mendim, se ajo nuk është për ta, sepse çështjet e saj janë shumë larg me përvojën e tyre dhe se ajo mund të kuptohet vetëm nga disa njerëz që kanë natyrë poetike dhe dëshirën për të jetuar me sy hapur. Kjo është e madhe, sepse e gjithë poezia, në thelbin e saj, është një përkthim i jetës dhe një përçapje për të hedhur dritë mbi ato andralla me të cilat njerëzimi është përballur qëmoti. Prandaj duhet ta qëmtojmë jetesën e poetëve, kushtet që jetuan dhe qëndrimet e tyre ndaj njerëzve, po qe se duam ta kapim kuptimin e drejtë të poezisë së tyre dhe sigurisht ta pranojmë vlerën e vërtetë të poezisë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e Miltonit (John Milton), pasi ai jetoi në një periudhë ndryshimesh në politikë, në revolucionarizimin e besimeve fetare dhe në zakonet shoqërore të njerëzve gjatë një shekulli që la mbresë në jetën e përditshme të Anglisë e që disa prej aspekteve të atij shekulli kanë mbërritur deri në ditët tona.

Xhon Miltoni lindi më 9 dhjetor të vitit 1608 në Londër. Lavditë e periudhës së madhe elizabetiane të letërsisë flakëronin ende dhe Shekspiri nuk kishte përjetësuar kryeveprat e veta të romancës. Jeta qe e çlirët, e lehtë dhe plot hare, dhe Anglia e lumtur ende ndikohej prej reve të zymta të puritanizmit që njollosnin horizontin. Por, shenjat e ndryshimit po dukeshin si nga vetë kisha dhe në qëndrimin e Stjuartëve. Puritanët që më parë patën fituar terren në ditët e Elizabetës, tanimë po zemëroheshin prej veprave të padrejta dhe teorive politike të Xhejmsit I Pastaj, komploti i armatosur më 1605 e thelloi të çarën me katolikët.

Tashmë nuk kishte më një mbretëreshë si Elizabeta që ta detyronte zbatimin e një armëpushimi me mirësjellje dhe me prestigj vetjak për të dyja palët. Kombi nuk ishte më një familje e bashkuar me një udhëheqës të respektuar, ndërsa armiku i përbashkët qe një gjendje plot grindje dhe mosmarrëveshje. Familja e Miltonit nuk u shpëtoi dot këtyre telasheve. Vetë të atit i kishin hequr të drejtën e trashëgimisë për t’u bashkuar me kishën e rivendosur dhe kështu ai u nda nga katolicizmi romak në të cilin qe rritur. Andaj, protestantizmi i Miltonit qe shumë i largët për të. Megjithatë, të atit ai i detyrohej shumë më tepër sesa feja. Plaku Milton ishte njeri me kulturë të madhe. Prej tij ai trashëgoi shijen për librat dhe dashurinë për muzikën. Qysh herët babai i tij zbuloi gjurmët e gjenisë së të birit, dhe është e nderueshme nga ana e tij, se ai veproi pa ndërhyrjen e tij që ta ndihmonte për ta përmbushur premtimin e tij të hershëm. Jeta e Miltonit në shumë mënyra duhet të ketë qenë ideale dhe në vitet e mëvonshme ai do të bëhet i njohur me një poemë që ia kushton të atit për përkujdesjen, dashurinë dhe ndihmesën bujare.

Miltoni shkoi në Shkollën e Shën Palit dhe njëkohësisht gëzoi shërbimet e një mësuesi privat në shtëpi. Kështu, ndërsa arsimohej gjithnjë e më shumë, ai njohu në mënyrën më të mirë të mundshme të dyja botët, atë të ndikimit nxitës të kulturës së shtëpisë së tij të lumtur dhe disiplinën e shëndetshme të një qëmtimi të rreptë nën mbikëqyrjen e një shkollari të aftë anglez. Pas Shkollës së Shën Palit, ai shkoi në Universitetin e Krishtit në Kambrixh dhe paçka se dolën zëra se jeta e tij pësoi të tatëpjeta dhe të përpjeta, ai qëndroi atje për shtatë vjet, më pas u diplomua dhe, më vonë, gjatë jetës së tij të dëshmuar, ai tregoi për “dashamirësinë” dhe “dashurinë e përzemërt” që mori prej “njerëzve të sjellshëm dhe të ditur” dhe nga shokët e universitetit. Synohej që, para së gjithash, ai të aftësohej për kishën por, pasi e gjykoi mirë, iu duk e udhës se për natyrën dhe shijet e tij, një caktim i këtillë do të ishte i papërshtatshëm. Ai nuk dëshironte ta çonte dëm jetën në luks dhe mirëqenie, prandaj në moshën njëzetetrevjeçare, meqë nuk shihte ndonjë të ardhme për të bërë karrierë, u pushtua nga keqardhja, të cilën e shprehu në një nga sonetet e veta më të fisshme. Ai psherëtin për faktin se “ditët që fluturojnë” nuk kanë lëshuar as syth e as gjet he, por ai gjen ngushëllim duke menduar se Perëndia, detyrëdhënësi i tij, koha dhe vullneti i qiellit, po i prijnë drejt një fundi të përlëvduar. Me anë të ndërgjegjes Miltoni mori një vendim përfundimtar. Ai vendosi të bëhet poet, të jetonte, të punonte dhe të qëmtonte, me qëllim që në fund të nxirrte në dritë disa kryevepra “që bota patjetër nuk do të lejonte të shuheshin nën pluhurin e harresës”.

Kështu, ai gjithë jetën ia kushton këtij qëllimi. E pranoi misionin e tij seriozisht. Pohonte se poeti i vërtetë duhet të ketë njohuri, virtyt dhe fe.

Unë isha, – shkruante ai, – i mirinformuar për këtë gjë, se poeti nuk duhet të zhgënjehet me shpresën për të shkruar gjëra të lëvdueshme dhe ai vetë, mbas këtyre, duhet të jetë një poet i vërtetë e jo t’u thurë lavdi njerëzve kreshnikë, o qyteteve të famshme, po qe se nuk ka në vetvete përvojën dhe praktikën e gjithë asaj që është e lavdërueshme. Ai një herë i tha mikut të vet, Diodatit, se po cungonte krahët për të mos fluturuar. Gjithashtu, qe me fat në mundësitë që pati për të qëmtuar dhe për të vëzhguar. Babai i tij qe tërhequr në Horton të Bakingamshirit, një vend hijeshak, jo shumë larg nga Uindsori dhe njëzetetre milje larg nga qyteti. Atje Miltoni shkoi më 1632. Ishte tamam ky vend ku u zbulua natyra e tij dhe në Horton shkroi I hareshmi (L’Allegro), Imendueshmi (Ilpenseroso), Harknajat (Arcades), Komus (Comus) dhe Lycidas. Që para këtyre ai kishte dhënë prova për aftësitë e tij poetike duke krijuar Oda e lindjes (Nativity ode).

Në Horton ai përfitoi nga koha e lirë për ta ngjeshur veten për veprën jetësore. Për shtatë a tetë vjet ai lexoi gjerësisht aq sa mundi poezinë dhe klasikët e letërsisë italiane, ndërkohë qëmtoi edhe shkencën. Ai qe poeti më i ditur nga të gjithë poetët anglezë dhe, ç’është më e habitshmja, të mësuarit e tij nuk iu bë kurrë pengesë për poezinë, a t’ia shuanin këtij poeti shkëndijën hyjnore. Ajo shërbeu vetëm për t’ia rritur vlerat dhe për t’u shtuar madhështi dhuntive të tij natyrore poetike.

Ndokush mbase mund ta zmadhojë rëndësinë e këtyre viteve në Horton në zhvillimin e aftësive të Miltonit, por kjo doli për të mirën e tij, pasi arsimimi i tij nuk u kufizua në një veçim të tillë asketik për shumë kohë. Ndoshta i ati e dinte këtë gjë. Megjithatë, ai vendosi ta dërgonte poetin djaloshar jashtë shtetit dhe t’ia zgjeronte më tepër lidhjet e ngushta që kishin përvijuar shkollimin e tij në këtë pikë. Pasi jeta nuk mund të jetohet vetëm nëpër libra: ajo ka nevojë për nxitjen që mund të merret vetëm nga takimi me botën. Miltoni në asnjë mënyrë gjatë karrierës së tij nuk u dashurua me “virtytin e një ikanaku dhe të jetës së një të mbylluri në kuvend, që është i pamësuar dhe pa liridalje”, e nuk pranon “të dalë jashtë dhe të kërkojë kundërshtarin e saj”. Ai e dinte këtë gjë, sikurse dëshmonte në Aeropagitica, se vetëm duke u përballur me të mirën dhe të keqen, ai do të kishte mundësi ta ushtronte aftësinë më fisnike-vullnetin për të zgjedhur. Ti duhet, – thoshte ai, – ta plotësosh leximin dhe vëzhgimin me mendjehollësi të volitshme, me vepra bujare dhe me punë.

Me lejen e të atit dhe me shpenzimet e tij, Miltoni u nis për një turne në kontinent më 1638. Kjo gjë njihej “si peshkim” për njeriun e atyre ditëve dhe Miltoni udhëtoi me qëllimin për të përfituar sa më shumë nga ajka e kulturës dhe arritjeve të Francës dhe Italisë. Ai qëndroi në Paris, Firence dhe në Romë. Gjithashtu, synonte ta përfshinte Greqinë në udhëtimet e tij, por u pengua nga disa ngjarje në shtëpi dhe mbas një udhëtimi të dytë në Romë ku takoi Galileon, u kthye në shtëpi.

Ç’kishte ndodhur?

Për Miltonin qe më se e qartë, se përndjekja e puritanëve kishte arritur kulmin. Laudi dhe Uentuorthi, anëtarë të një gjyqi që vepronte dhe merrte vendime të padrejta dhe pjesëtarë të flotës detare, po nxitnin vdekjen e lirisë dhe Miltoni me guximin e tij të lartë moral, me ndjenjën e tij të rreptë për drejtësi dhe përmbi të gjitha me zellin e tij të palëkundur për liri pranoi se qe më se e domosdoshme për shëndetin shpirtëror dhe moral të njerëzve të të gjitha racave, të vendoste aty për aty t’i braktiste dëshirat, synimet e tij dhe të debatonte. Kjo gjë ishte një flijim heroik për një njeri me natyrë si e tij, por ai kurrë nuk ngurroi. Unë e gjykoja të turpshme, – thoshte ai, të gëzoja mirëqenie në dhe të huaj, ndërsa bashkëkombësit e mi luftonin për liri.

A u tregua i mençur Miltoni duke marrë këtë vendim? Vallë, a nuk dukej qartë se ai kishte lënë mënjanë çdo gjë dhe kishte braktisur vullnetarisht gjithë ato gjëra që do t’ia bënin jetën të denjë për t’u jetuar? Vallë, a do të hiqte dorë ai përfundimisht nga tërë synimet dhe aspiratat, duke shërbyer me kaq besnikëri nën kushte të tilla për kaq shumë vjet dhe duke lënë mënjanë përkushtimin e tij solemn ndaj çështjes së poezisë? Vallë, a nuk i merrte parasysh ai pasojat lidhur me përfundimin e vetëflijimit të tij? Sigurisht Miltoni e kuptonte rëndësinë e hapit që po merrte. Atij kurrë, së paku botërisht, nuk i erdh keq. Gjithnjë edhe më shumë e shfajësonte në prozën e vet të mëvonshme veprimin e tij dhe atyre që e pyetnin për mençurinë e zgjedhjes, ai ua jepte përgjigjen e fisshme: E bëra që të pushonin pëshpëritjet e tyre.

Përveç çështjes së atdhetarizmit, paçka se nderimi duhet t’i shkojë Miltonit në këtë pikë, mund të thuhet me saktësi të plotë se përvoja me njerëzit dhe me punë të ndryshme që ai u përball gjatë viteve poetike që pasuan, e mbështetën t’i botonte Parajsën e humbur dhe Grahmat e fundit të Samsonit, të cilat janë frytet më të arrira të tij krijuese, përveç kryeveprave të tjera që shkroi.

Dimë se lënda themelore që vë në lëvizje një poet është zemra që këqyrë dhe thith sa më shumë nga botëkuptimi njerëzor dhe nga bota e natyrës. Dhe, nëse na vjen keq për grindjet e pafrytshme dhe kalimtare me të cilat Miltoni harxhoi energjitë e veta në ato ditë dhe lartësimi i gjenisë së tij në partinë politike, ne së paku duhet t’i jemi mirënjohës që ai u kthye në rrugën që i dha mundësinë për t’u kthyer – te muza e mendjes së tij të fuqishme, kur “qetësimi i mendjes, çdo zjarrmi largon”, e në këtë kohë ai shkroi veprat e fundit dhe madhështoret.

Gjithsesi, Miltoni mori vendim dhe me kthimin e tij në shtëpi mbyllet kapitulli i parë i jetës së tij.

Veprimtaria politike dhe veprat letrare

Kapitulli i dytë për qëllimin tonë të tanishëm mund të preket sadopak. Ajo qe periudha e prozës, pamfleteve dhe shërbimeve në partinë e tij. Një apo dy pjesë të largëta të mbushura me gjendjen shpirtërore dhe ngjarjet e kohës u shkruan në vargje, por gjatë gjithë asaj kohe, që nga vitet 1640 deri më 1660, muza e tij qëndroi gati në heshtje. Përveç ndihmesës së drejtpërdrejtë që ai i dha Kromuellit si sekretar i latinishtes, ai cilësohej si një nga njerëzit më të aftë dhe kreshnik i vendosur i idealeve puritane. Në polemikën që pasoi gjyqin dhe ekzekutimin e Karlit, ai ishte zëdhënësi i partisë së tij. Mbi të gjitha, Miltoni shkroi njëzetepesë pamflete, njëzetenjë prej të cilave janë në anglisht, ndërsa katër të tjera në latinisht. Rëndësia mes kishës-shtet dhe grindjeve civile shpesh lihej mënjanë nga mëritë politike e fetare që helmonin dhe thellonin armiqësitë në ato ditë të turbullta. Por, të paktën një pamflet qëndron mënjanë. Në Aeropagitica, e cila është mbase shembulli më i lartë i prozës në gjuhën angleze, Miltoni ua kthen shpinën grindjeve të parëndësishme dhe sherreve të kohës dhe trajtoi me qetësi e mendjehollësi poetike një nga temat më të dashura për zemrën e tij – Lirinë. Pamflete të tjera u shkruan për mbrojtjen e Kromuellit kundër sulmeve mbretërore. Kundërshtari kryesor i Miltonit ishte një pedagog i zoti i Leidenit, Salmasi dhe lufta me fjalë u krye nga të dyja anët me tërbimin më të madh. Kjo nuk qe aspak e nderueshme për të dy debatuesit. Fjalët e pahijshme dhe sharjet ishin armët kryesore dhe e gjithë çështja mund të ketë qenë e neveritshme për Miltonin. Pavarësisht prej këtyre, ai shkroi një Traktat për Edukimin (1644) dhe disa pamflete për shkurorëzimin.

Ai u martua rishtazi, por ai i përmend fort pak çështjet familjare, aq sa duket sikur ato s’kanë fare lidhje me familjen e tij. Kjo ndoshta për shkak të sulmeve të padurueshme që ai ua bënë grave dhe referimeve përbuzëse që hasen në disa prej veprave të tij. Fatmirësisht, periudhës shterpë të Miltonit i erdhi fundi me rivendosjen e Karlit II më 1660. Me përjashtim të Aeropagitica dhe një apo dy sonete që ai kishte shkruar, asgjë të denjë nuk kish mundur të nxirrte në dritë për gjeninë e tij deri më 1640.

Ndërkohë sytë i kishte stërmunduar tej çdo caku, pasi ai e kishte zakon të studionte me orë të tejzgjatura, sepse ai na thotë se “që në moshën dymbëdhjetëvjeçare rrallë shkoja të flija para mesnate”. Ndaj, kjo gjë i shkaktoi verbëri të plotë më 1652.

Çfarë çmimi i duhej të paguante për përkushtimin ndaj atdheut. Por, shpirti i tij i lartë nuk ngriti krye. Një durim fisnik e ndaloi ankimin e tij dhe ai gjeti ngushëllim duke menduar se tanimë nuk i mbetej gjë tjetër veçse të duronte dhe të priste. Ai i thoshte Siriak Lëkurëregjësit, se po përkrahej nga ndërgjegjja e tij dhe ngushëllohej se kishte kryer një detyrë fisnike, “atë të mbrojtjes së lirisë”.

Me rivendosjen fillon faza përfundimtare e karrierës së Miltonit. Dyshohej nëse sundimtarët e rinj do ta përndiqnin kundërshtarin e tyre të frikshëm, por atij i erdhën në ndihmë miq të fuqishëm, edhe për faktin se revolucioni ishte paqësor. Atij iu lejua të jetonte në paqe dhe gjatë këtyre viteve të fundit, duke mos u sulmuar prej shtrëngatave politike dhe ne shoqëri të qetë me miqtë e tij Marvell dhe Elvud, vendosi ta kryente detyrën e tij të fundit. Mund të jemi plotësisht të sigurt se ai nuk e kishte harruar asnjëherë, madje edhe në ditët e zymta kur ishte mesoburrë. Megjithatë, rrethanat kurrë nuk ia kishin bërë të mundur një gjë të tillë. I shkëputur nga marrëdhëniet njerëzore prej verbërisë së tij dhe i pjekur nga përvoja turbulluese e fatit të tij të keq dhe grindjeve, ai pa në brendi të shpirtit të tij dhe soditi lartësinë e një bote të paparë, të asaj bote që e kishte nxitur e që e nxiti të krijonte Parajsën e humbur, një vepër epike në gjithësinë e shpirtrave të pashoqë. Në këtë vepër dhe në veprën tjetër pasuese Parajsa e fituar, Miltoni i dha hapësirë të lirë veprimi dendësisë së bindjeve të tij morale, të cilat ne i shohim të bollshme që në poemat e hershme. Mesazhi i tij i fundit ishte Grahmat e fundit të Samsonit, një dramë e shkruar sipas modelit të tragjedive antike, në të cilën ai dëshmon për besimin ngadhënjyes në fitoren përfundimtare të çështjes së tij. E gjitha kjo qe e panjohur për çështjen puritane, por e gjitha kjo ishte e denjë për shpirtin puritan që do ta shndriste përjetësisht ndikimin e saj përmes rrathëve të gjerë, si shprehet në këtë copëz poezie:

Anglia u mbyt
nën rrymat turbulluese zemra dhe mendja e saj shkonte,
buzëqeshja e saj, besimi që ajo mban, më e mira prej saj
jetofshin me zë të lartë në hallakatjen e tyre te fjalët
kishtare.

Në vitet e fundit të jetës Miltoni iu kushtua veprave në prozë, por ato tanimë paraqesin shumë pak interes për ne. Ai vdiq më 1674.

Mund të mendojmë gabimisht për karakterin puritan si jashtë mase të ashpër, të rreptë dhe të paepur, por Miltoni nuk ishte puritan i këtij kallëpi. Nga natyra, një asketik i përkushtuar muzikës dhe librave, ai njihej si një njeri që i donte së tepërmi fëmijët dhe i përzgjidhte shoqëritë me kujdes. Ai kënaqej shumë me gjithçka që syrit të tij i shkaktonte kënaqësi dhe e adhuronte bukurinë në gjithfarëlloj trajte që e gjente. Ai e dashuronte natyrën dhe ishte një prej poetëve të parë që shprehu gëzimin për mjediset e fshatit. Paraqitjet e tij alegorike dhe një pjesë e tij drame, tregojnë se ai nuk ishte i një mendje me përbuzjen që kishin puritanët për skenën. Ai e çmonte bukurinë e muzikës dhe hiret e artit. Interesat e tij qenë të gjëra dhe ai nuk kishte dëshirë t’i shmangte përgjegjësitë duke u larguar nga jeta. Ngjëro të gjitha gjërat, – thoshte ai duke cituar apostullin e krishterë Pavël, – dhe mbaj atë që është e mirë.

Përfundimisht, cilat janë vetitë e poezisë së Miltonit që e vendosin në varganin e poetëve të shquar anglezë? Mbase cilësia e lartë e poezisë së tij në madhështinë e saj. Ajo lartëson mendjen, e vë atë në një vendqëndrim më të vlerësuar dhe e ngre në një atmosferë më të pastër. Dhe e gjitha kjo arrihet me anë të një stili me bukuri të jashtëzakonshme. Për sa i përket kësaj, ai ishte një fëmijë i Rilindjes. Në shkrimet e tij ai na paraqet ndjenjën e së bukurës, që qe aq e dendur dhe e mprehtë, ngjashëm me tiparet e letërsisë së lashtë greke. Por e gjitha kjo nuk mbaron me kaq. Miltoni ishte përfaqësues i shpirtit të reformimit. Ai zotëron një ndjenjë të thellë fetare dhe harmonizon parimet e çlirimit dhe lirisë me humanizmin dhe bukurinë e menduar që e kishte gjetur tek autorët klasikë dhe humanistë. Kështu, vepra e tij është thuajse e tëra e përsosur dhe e drejtpeshuar. Idetë fisnike janë dhënë me shprehje fisnike, pasioni dhe mendimet e lartësuara janë veshur me bukurinë dhe madhështinë e gjuhës mbresëlënëse, edhe pse fjalët janë të kursyera, me anë të tyre shprehet hapur prirja për të bukurën e letërsisë greke. Me një fjalë, vepra madhore e Miltonit shquhet për një harmoni të mrekullueshme, e cila është harmonia midis ndjenjës dhe ritmit. Ajo bën të mundur trajtimin e temës dhe ëmbëlsisë, të zjarrit të dashurisë dhe diksionit.

Për Miltonin thuhej se bënte përparim me hapa viganë dhe të menjëhershëm. Veprat e tij të hershme nuk bëjnë gjë tjetër veçse nxjerrin në pah ato cilësi që do t’ia vënë vulën si njërit prej poetëve që e ravijëzoi personalitetin dhe identitetin e tij poetik që herët. Kjo tregon edhe përmasat e tij vigane, shpirtin e tij të ndjeshëm, aftësitë e tij shquese që nga natyra zotëronte dhe fjalorin e pasur (ai përdori rreth 8 000 fjalë) që ngallmoi në veprat e tij. Miltoni është poeti që me vargun e tij të lë gojëhapur, pasi vargëzimi i tij është i lehtë, i ëmbël, etik dhe i hijshëm për nga bukuria e rrallë. Nëse deri tani folëm për jetën dhe krijimtarinë letrare të Miltonit, tanimë do t’i analizojmë sadopak poemat e tij një për një.

Në mëngjesin e lindjes së Krishtit

Oda e lindjes u shkrua më 1629, para se Miltoni ta linte Kembrixhin. Ajo shquhet për pjekurinë e stilit. Në këtë vepërth dallohet e njëjta madhështi, e njëjta lartësi e tonit, po ai shkëlqim dhe habi e veprës së tij madhore. Serioziteti moral që tiparëzon poemën është i thellë dhe burrëror si në Grahmat e fundit të Samsonit. Gjithsesi në këtë poemë dallojmë disa gabime. Përmbajtja është më pak mbresëlënëse se mënyra dhe ndërtimi madhështor përfshin disa të çara në vetvete. Në disa strofa (p. sh., 6, 7, 15 dhe 21), Miltoni përhumbet pas gjuhës së përfytyruar dhe fantastike të shkrimtarëve “metafizikë” si Doun dhe Kreshou dhe në përshkrimin për perënditë pagane, ne kuptojmë se ai është larg nga gjendja e tashme më shumë sesa e lejon subjekti. Por këto janë gabime të holla dhe shumë kritikë do të ishin të mendimit se kjo është, ndoshta, poema më e bukur e shkruar ndonjëherë në gjuhën angleze.

Strofa është shpikja e vetë Miltonit dhe ajo është përdorur me një aftësi të pazakontë. Baza e saj është përdorimi i gjashtë rreshtave dhe në fund të secilës strofë kemi një pushim të thellë. Rreshti i shtatë përmbledh temën si i pari dhe dyrreshtëshi i fundit rrethohet prej një vargu aleksandrin dhe kufizohet nga katërkëmbëshi për të arritur një drejtpeshim të përkryer. Pasoja e ndërfutjes së dy vargjeve pesëkëmbëshe në mes të vargjeve të shkurtra dhe rrethimi i tyre me një varg aleksandrin, është pothuajse madhështore në shprehjen e ndjenjave dhe të denjësisë e përnderimit. As kjo s’është e gjitha. Përdorimi i emrave të përshtatshëm solemnë, pranëvënia e zanoreve të harmonishme, zgjedhja e bashkëtingëlloreve të qeta dhe të rrjedhshme, përdorimi i kufizuar i aliteracionit dhe onomatopeja i japin odës madhështinë e tingullit që rrallëherë haset në poezinë angleze. Është e vërtetë se Miltoni është i papësëdytshëm, pasi të gjithëve na bën përshtypje poezia e tij dhe hiret e veprave të tij tregojnë për vargun e lartë miltonian, qiellin blu pa re. Herë të tjera ai zbulon qejfet e tij duke vallëzuar dhe kënduar, apo në komedinë, a lojërat pagane. Ai kërkon shkëlqim, muzikë, miqësi dhe një mozaik të plotë shumëngjyrësh që jeta mund t’i ofrojë. Kënaqësitë e thjeshta janë qëllimi i tij dhe ngjashëm kalorësit për të cilin Miltoni mund të kishte menduar, ai e kalon jetën e tij në një rreth shkujdesjeje të hareshme. Në poemë nuk ka ndërfutje të grindjes, asnjë mendim shqetësues të së keqes.

Në të Mendueshmin ndiejmë një atmosferë tjetër. Meditimi apo përsiatja është thelbësore dhe gëzimet vijnë prej të menduarit thellë dhe të biseduarit me thellësitë e shpirtit. Muzika e laureshës shkon drejt heshtjes dhe nëse dëgjohet ndonjë këngë, ajo është e bilbilit “në gjendjen e tij më të ëmbël dhe më të dëshpëruar”. Hëna dhe jo dielli i mesditës do t’i bëjnë atij tani shoqëri dhe nata, në vend se të harxhohet me këngë a me ndonjë komedi, përkundrazi ai tani e kalon duke soditur yjet dhe lajmin e tyre të pavdekshëm, ose e kalon në praninë e ndonjë tragjedie të lartë, a me librat që bëjnë fjalë për gjërat që i kapërcejnë kufijtë. Nëse tematika është ideali puritan, ajo ndryshon prej puritanizmit të ngurtë të cilin e njohim. Nuk ka asnjë arsye të mendojmë se Miltoni me qëllim ndien dhimbje duke i krahasuar gjërat. Poemat janë idile dhe duhen gjykuar si peizazhe.

Cilat janë tiparet e shquara epike të dy poemave?

Janë dy. Bukuria tërheqëse e gjuhës dhe ritmi e përshkrimi i natyrës. Nga ana metrike baza e të dyja poemave është vargu jambik katërkëmbësh, por kjo ndryshon mjeshtërisht nga futja e masave trokaike dhe nga një ndryshim i nëndukshëm i pauzës që prodhon një ritëm ndezës në muzikalitetin e tyre. Diksioni është i mrekullueshëm. Në të dyja poemat ka një përputhje të shkëlqyer që nxit imagjinatën e syrit dhe të veshit. Vëreni, për shembull, vargjet:

Kështu nata, shpesh të më këqyrë në rrugën e mugët
derisa të vijë mëngjesi krahëshkruar, jo mashtruese
dhe dinake siç ajo do të donte, por me një djalë të
Atikës për gjueti mbuluar me një re të bukurth, ndërsa
ajo më shpie në rrebesh shirash.
Kur shpërthim i erës papritmas buçet e
gjethet me ëmbëlsi fëshfërin dhe prej
ullukut t’çatisë pikon.

Vëzhgoni vargun e parë. Ai është i gjatë, pothuajse i ngadaltë dhe vëreni përdorimin e epitetit “e mugët”. Ndërsa epiteti “krahëshkruar” përçon idenë e një aliteracioni të menjëhershëm dhe mbart kuptimin e kthjelltshmërisë. Kjo i përshtatet mëngjesit për njeriun përsiatës dhe krijon sakaq kontrastin me vargun e tretë dhe sidomos me fjalët “mashtruese” dhe “dinake”, që si nga tingëllimi dhe për nga domethënia lidhen me vargun e katërt me figurën e djalit të Atikës që shkon për gjueti. Sa më shumë ta kundrosh dhe ta qëmtosh hollësisht këtë poemë, aq më shumë do të habitesh nga rrjedha e përsosur dhe nga muzikaliteti i ëmbël. Miltoni nëpërmjet poemave na zbulon dashurinë për natyrën dhe kjo qe një gjë e re në poezinë angleze. Ai nuk përpiqet të endë ndonjë filozofi rreth poemës siç bënë Uordsuorthi apo Shelli, por ai shpreh me forcë shumën e ndjenjave të tij, të cilat fare qartë na tregojnë ndjeshmërinë për mbresat që i la natyra. Prandaj poezia e tij na nxit të menduarin përfytyrues. Ai nuk përpiqet të na japë një katalog pamjesh dhe tingujsh si Thomsoni apo Kouperi. Ai është shumë nazeli dhe zgjedh tiparet e peizazhit të tij, të cilat janë në harmoni me ndjenjat dhe gjendjen e tij shpirtërore. Një studim i vargjeve 60, 61, 69-80, në të Hareshmin dhe vargjet 56-62, 65-70, 121-130, 139-154, në të Mendueshmin do t’ju bindin për ndikimet e gjalla të peizazhit të Miltonit.

Komusi

Komusi u shkrua më 1634 me ftesën e Henri Ljuis, muzikant dhe mik i Miltonit. Ljuis qe tutor i familjes të Kontit të Brixhuoterit dhe dëshironte të mbante një mbrëmje në Kështjellën Ludlou për ta kremtuar emërimin e Kontit si Lord Mëkëmbës i Uellsit. Prandaj Miltoni shkroi Komusin dhe në paraqitjen e aktorëve, vetë Ljuis luajti pjesën e Tirsit dhe tre fëmijët e Kontit të Brixhuoterit luajtën pjesën e vëllait të madh, vëllait më të vogël dhe zonjës. Ljuis e botoi Komusin më 1637 pa emrin e autorit. Ai na tregon arsyen e tij për botimin duke thënë se pjesët me maska pëlqeheshin shumë nga publiku dhe ai u rraskapit duke e rikopjuar rishtazi atë. Ajo u botua më vonë në përmbledhjet e Miltonit duke i shtuar edhe dy shtesa të tjera të përfshira në Poemat e shkurtra të Miltonit më 1673. Në këto dy shtesa shtohen rolet e Kembrixhit dhe Brixhuoterit, ku më vonë lihen jashtë pjesë që përmbanin ligjërime të gjata, të cilat e lodhnin lexuesin. Për ne sot është me interes traseja muzikore e Ljuisit që e kompozoi me rastin e Komusit, për pesë lirikat e kësaj vepërthe, kurse Arne, kompozitori i madh i shekullit të tetëmbëdhjetë, shkroi muzikën e përshtatur për Komusin që luhej rregullisht.

Historia dhe tiparet na tregojnë gjurmët ndikuese të disa shkrimtarëve të mëparshëm. Personazhi i Komusit është krijim i mirëfilltë i Miltonit. Komusi nuk është vetëm një vepër e mirë klasike. Ai shfaqet në pjesën me maska të Ben Xhonsonit Kënaqësia pajtohet me virtytin (1619), por si një personifikim i gëzimit. Në këtë vepër letrare të bukur për nga trajta dhe idetë që ajo përcjell, përfytyrimi i prejardhjes kthehet në qëllimin kryesor. Drama latine e titulluar Comus qe shkruar më parë nga Duçmani, e u botua më 1608. Mbase Miltoni mund ta ketë lexuar veprën dhe mund të ketë kuptuar se përfytyrimi i personazhit për Duçmanin është më i fshehur se i atij të Xhonsonit. Prandaj Miltoni mund të ketë marrë shkas për ta shkruar veprën e tij. Historinë e Çirces ai e ka marrë prej Odisesë, Virgjilit, Ovidit, Uilliam Braunit dhe Spenserit. Për historinë e motrës së humbur, së cilës i shfaqet një magjistar dhe vëllezërit e së cilës shpëtohen me ndihmën e magjistarit, bën fjalë edhe Tregimi i lëvozhgës së grave të vjetra (1595).

Baresha besnike e Fetçerit (shkruar para 1625-s) bën fjalë për të njëjtën temë si te Komusi – fitoren e dëlirësisë. Shfaqja e Sabrinës, perëndeshës së ujit, që liron Zonjën, është si një mbyllje e pjesës së Fetçerit, ku perëndesha e lumit e çliron Amoretin. Por, e gjitha kjo nuk ka ndonjë vlerë dhe nuk ndikon te ne për sa i përket gjykimit të pjesës me maska, të cilën Miltoni e paraqet në një mënyrë magjepsëse. Kurse po ta vlerësojmë pjesën si një pjesë teatrale, atëherë gjërat qëndrojnë ndryshe. Cilat pra janë tiparet e pjesës me maska?

Para së gjithash, pjesët me maska ndryshojnë nga dramat e zakonshme, pasi ato ia mohojnë spektatorit anën dramatike. Maska është gërshetimi i ligjërimit, vallëzimit dhe këngës. Kostumet dhe tablotë janë tiparet më themelore. Pjesët me maska nuk luheshin nëpër teatro publikë, por as nëpër oborre, apo në shtëpitë e fisnikërisë, të cilët i varfëronin çifligjet nga harxhimet pa hesap. Është me interes për ne sot të themi, se arkitekti më i shquar anglez i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Inigo Xhons, që shpesh thirrej për ta mbikëqyrur dekorin e skenës, thoshte: Ndërsa popullariteti i pjesëve me maska rritej, puna e poetit kufizohej vetëm në shkrimin e vargjeve dhe gjetjen e temës. Tema zakonisht qe e njohur dhe shpesh kishte lidhje me alegorinë. Në ditët e Ben Xhonsonit ishte më se e zakonshme të përzihej vdekja dhe gëzimi me elementin e humorit që quhej antimaskë dhe ata që luanin këto pjesë duhej të ishin aktorë të zotë. Sigurisht, të kërcyerit dhe të kënduarit përcaktonin karakterin e libretit, por në të gjitha rastet ajo, përpos të gjitha gjërave, duhet të ishte lirike. Personazhi më i shquar në histori për pjesët me maska qe Ben Xhonsoni, por edhe në pjesët e tij të mëvonshme ekzistonte elementi i maskës. Në të vërtetë në Komusin ka shumë kujtime të Stuhisë.

Pjesët me maska të Miltonit vetëm sa mund të krahasohen me pjesët e tjera me maska dhe s’ka asgjë më të lartë se elementet e saj liri ke. Në shumë aspekte të tjera, ajo për nga gjykimi paraqet ndryshime lidhur me shijet. Miltoni haptazi zotëronte dhuntinë e të shkruarit lirshëm, privilegj për të cilin Xhonsoni u lodh tërë jetën. Ai na paraqet një ndërrim skenash të punuara shumë bukur; ai e pakëson kërcimin thuajse fare; ai e mban elementin muzikor të nënshtruar, vetëm në katër, apo pesë këngë. Ajo që ia vlen të dëgjohet është poezia. Prandaj Komusi është më letrare dhe poetike se pjesët e tjera të zakonshme me maska. Disa prej tipareve të saj priren më shumë drejt tragjedisë klasike sesa pjesët me maska. Por, pavarësisht prej këtyre elementeve themelore, poezia e saj është përtej çdo lëvdimi. Në të ka një ekuilibër të përkryer mes emocionit dhe të shprehurit, imagjinatës së pasur, muzikës zëulët, gojëtarisë së kufizuar e fragmenteve madhështore dhe bukuria e papërngjasueshme e pjesëve të lehta janë mrekullitë e krijimit të tij poetik.

Por, në të gjenden të meta, nëse ndokush do ta gjykonte atë nga pikëpamja si një pjesë maske. Veprimi zhvillohet shumë ngadalshëm; ligjërimi i tejzgjatur filozofik i vëllezërve dhe Zonjës, të mrekullueshëm si shembuj të poezisë madhështore, janë jashtë mase të përpunuar për suksesin e skenës. Në të ka shumë elemente didaktike, shumë predikim që nuk na ndihmon as të fitojmë një njohje të plotë të personazheve dhe as që nuk harmonizohet me rrethanat kremtuese të pjesës me maska. Ndokush mund të shohë se autori ka hequr larminë dhe ka shumuar amvonën e mezi pret derisa digresioni të mbarojë. Gjithashtu, ekziston një mungesë e plotë e humorit, që është bukuria që i shpëton të gjitha pjesët dramatike. Miltoni bënte shaka me zor dhe ishte në personalitetin e tij që Komusi të mos përmbante asnjë lehtësim komik. Por, puna është, se pjesëve me maska të Miltonit i mungon interesi për anën njerëzore. Ai duket sikur largohet me shpejtësi e padurim nga jeta njerëzore dhe e ngul vështrimin në botën e Perëndisë dhe atë shpirtërore.

Në portretin e Zonjës dallojmë dëshirën e saj të përmallshme për bashkësi me Perëndinë. Ajo është shëmbëllimi i pastërtisë së përsosur dhe virtyti plot shkëlqim i jetës së krijuar. Sa më shumë që e admirojmë këtë vepërth madhështore poetike të Miltonit, nuk kemi si t’i mbyllim sytë para të metave në trajtimin e saj si një temë për publikun.

Lycidas

Lycidas është një elegji, e shkruar në trajtën baritore. Miltoni vajton për vdekjen e një miku si pasojë e mbytjes. Ai quhej Eduard King, një shok i Kolegjit të Krishtit në Kembrixh dhe bashkëstudent i Miltonit. Ai shkruan si një bari që mban zi për humbjen e një bariu tjetër. Emri Lycidas qe më se i zakonshëm te poetët e hershëm baritorë, të tillë si Teokriti dhe Virgjili; dhe Miltoni po ecën në gjurmët e shumë poetëve baritorë, përfshirë Spenserin, duke shkruar një elegji të kësaj trajte. Për shkrimin e vargjeve të Lycidas ndihmuan disa miq të Eduard Kingut më 1638.

Si duhet të gjykohet poema? Si një shprehje e humbjes së thellë vetjake, siç e gjejmë në Përkujtimin e Tenisonit; si një dokumentim vetjak që zbulon tiparin e autorit, apo si një poemë?

Nuk ka asnjë provë se Miltoni dhe Kingu qenë shokë të ngushtë. Si fillim kjo përjashton hidhërimin vetjak për humbjen e tij. Nga ana tjetër, zbukurimi baritor me të cilën ai i mbështolli mendimet e tij, nuk mund të përdoret si një argument kundër keqardhjes së tij të çiltër. Ashtu si baritorizmi nuk është në vetvete i kushtëzuar, kështu edhe poezia nuk është e tillë dhe nëse pranojmë mjediset që artisti zgjedh për t’i përcjellë mendimet e tij dhe emocionet, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta gjykojmë pastërtinë e këtyre ndjenjave, si një përvojë të përfytyruar në mendjen tonë, të asaj mendje që deshi të arrinte artisti.

Vallë, e lexon Lycidasin me ndjenjën e zisë?

Përgjigjja jote mund t’i jepte fund diskutimit. Për disa, stili i poemës është i hapur dhe tërë forcë. Vallë a janë këto dy digresione të pavenda në elegji? Në të vërtetë, është e vështirë të debatosh në mbrojtje të tyre? Të fisshme siç janë në të shprehur, ato ndikojnë te lexuesi, si një shpërthim plot dritë që shpall me të madhe se puritanizmi e ka bërë për vete poetin për pak kohë. Cila është lidhja me subjektin e temës? Me sa dimë, Kingu donte të drejtonte një kishë dhe qëmoti kish shkruar poema pa ndonjë meritë të veçantë. Ndoshta Miltoni me entuziazmin e tij praktik, ngazëllohej me mendimin, se nëse Kingu do të kishte jetuar, ai do të mbetej i kënaqej duke kryer detyrën e priftit dhe të poetit të poshtëruar nga pavlershmëria e bashkëpraktikantëve që eksperimentonin në dy arte njëkohësisht. Megjithatë, ekziston një fill i hollë që i bashkon këto dy digresione në një trup të vetëm të poemës.

Gjithsesi, Lycidas qëndron e përsosur për nga klasa e saj. Diksioni, përfytyrimi, muzikaliteti, ndërtimi i saj artistik, bukuria dhe dinjiteti, dëshmojnë për rregullin e përsosur dhe harmoninë e poezisë së tij. Ngritja dhe rënia e tensionit emocional, shpërthimi i pasionit, nënshtrimi dhe lodhja përsiatëse u bëjnë jehonë fjalëve të thëna nga Landori që tha: Asnjë poezi kaq e harmonishme si Lycidas nuk është shkruar kurrë më parë në gjuhën tonë.

Sonetet

Sonetet e Miltonit në një farë mënyre qëndrojnë të veçuara nga poezia e tij. Përveç dokumenteve të tij vetjake që hedhin dritë mbi jetën e tij, sonetet tregojnë edhe për pjekurinë e tij prej shkrimtari. Ato janë krijime të çastit, me tema kalimtare e me interesa të rastësishme. Ato janë mbrujtur nga ngjarjet e kohës dhe mbështeten kryesisht mbi simpatitë dhe antipatitë ndaj personave, të cilëve u janë drejtuar. Më e shquara prej tyre fiton admirimin tonë si për shprehjet fisnike, gjithashtu edhe për idealet e larta që i frymëzojnë ato. Ato mbajnë vulën e Miltonit. Sonetet janë thirrje të qarta për dashuruesit e çlirimit që të ngrihen me armë në dorë kundër atyre që i shtypin. Gjithashtu, ato u drejtohen mosbesuesve dhe atyre që nguten me qëllim pranimin në shenjë mirënjohjeje të dhuratave të Perëndisë dhe që të gjithçka t’ia shënjtërojnë Hyjnorit dhe shërbimit të tij. Kjo është ajo që do të thotë Uordsuorthi kur flet për një nga sonetet e Miltonit duke e quajtur atë “një bori”. Por kjo gjë do të ishte e pavlefshme po ta thoshim për të gjithë sonetet e tij. Poezitë e tij politike, që u shkruan gjatë periudhës së tij poetike shterpë, na zbulojnë njeriun e punës, në vend se poetin.

Por, ekzistojnë disa sonete që na zbulojnë motivet e Miltonit dhe aspiratat e tij. Ne lexojmë përkushtimin e tij serioz kundrejt poezisë, arsyen e tij të dorëheqjes ndaj misionit të shkrimit së pamfleteve për mbrojtjen e atdheut të tij, dashurinë për muzikën, palëkundshmërinë e tij për protestantizmin, durimin e tij fisnik ndaj sëmundjes të verbërisë dhe besnikërinë ndaj miqve. Uordsuorthi ankohet kur thotë se sonetet e Miltonit janë “mjerisht, shumë pak!” Duke pasur një pikëpamje pozitive, për aq sa kemi futur në këtë paraqitje për këtë revistë, vërtet sonetet janë pak, por ato do të mjaftonin për prestigjin e Miltonit.

Për nga trajta, Miltoni nuk ndjek sonetet e tipit elizabetian, që shkruhen me tri kuartina dhe dy vargje në fund, si Shekspiri, apo llojet e modelit italian të oktavës dhe të sestës me përdorimin e dy vargjeve në fund si Sidni, ose me kuartinën bazë, si Spenseri. Atij kurrë nuk iu duk e domosdoshme të zbatonte rregulla të tilla ndrydhëse. Trajta e soneteve të Miltonit është ndjekur nga disa shkrimtarë të tjerë sonetesh, edhe pse poetët ia kanë lejuar vetes një hapësirë të konsiderueshme në rimimin e seksteve. /Revista “Akademia”/

 

Exit mobile version