Telegrafi

Jessye Norman hapi verën e Ohrit

Si asnjëherë tjetër, me një numër të madh truprojash ka mbërritur në orën 21.00 një nga emrat e njohur të muzikës amerikane Jessye Norman.

“Është e para herë që një këngëtare vendos kushte”, thanë organizatorët e festivalit, teksa shtojnë se këngëtarja kërkoi me ngulm që koncerti i saj të zhvillohej me dyer të mbyllura. Pa fotografë, kamera, konferencë shtypi. Madje as lule.

Në koncertin e saj gala, këngëtarja e famshme Jessye Norman u shoqërua nga kori dhe trupa e baletit pranë Operës dhe Filarmonisë maqedonase. Gjatë koncertit me pjesët më të zgjedhura nga repertori i saj, u krijua një atmosferë elektrizuese, për gati 60 minuta.

Ndonëse çmimi i një bilete shkonte 40 euro, pati një numër rekord shikuesish. Festivali i “Verës së Ohrit 2008” do të zgjasë 45 ditë. Në këtë skenë do të ngjiten edhe shumë yje të tjerë të muzikës botërore si nga SHBA, Japonia, Franca, Gjermania, Brazili, Zvicra, Koreja, Rusia, Bullgaria, Çekia etj.

Nuk do të mungojnë edhe artistët shqiptarë si Inva Mula, koreografi Gjergj Prevazi, teatri kombëtar shqiptar në Shkup dhe Tiranë, kitaristi Admir Toçi, Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë etj./Shekulli/