Site icon Telegrafi

Jeremiq: Serbia në Uashington është zotuar të ndalojë përgjithmonë lobimin për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

Presidenti i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, deklaroi sot se Serbia, me nënshkrimin e presidentit Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë, u zotua që “të ndalojë përgjithmonë lobimin” në botë për tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe për herë të parë në historinë e diplomacisë jugosllave dhe serbe shkel një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB.

“… ne jemi zotuar ad infinitum, kështu që pa një afat kohor, të mos e bëjmë këtë, ndërsa Prishtina është zotuar që për një vit të mos bëjë kërkesë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Jeremiq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Sipas Jeremiq, duke rënë dakord për të zhvendosur Ambasadën Serbe në Izrael nga Tel Aviv në Jerusalem, Rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të OKB e vitit 1980 u shkel drejtpërdrejt, e cila detyron vendet anëtare të OKB të mos hapin ambasada në Jerusalem.

Jeremiq, i cili është gjithashtu ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, tha se Serbia, përmes pranisë së VuçiQ në Shtëpinë e Bardhë, “ishte përdorur si një mjet i disponueshëm në fushatën zgjedhore të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump”.

I pyetur në lidhje me vendimin e qeverisë serbe për të pezulluar të gjitha stërvitjet ushtarake me të gjithë partnerët ushtarakë dhe të braktisë stërvitjen ushtarake me Bjellorusinë për gjashtë muaj, si dhe deklaratën e ministrit Aleksandar Vulin se Serbia është “nën presion të tmerrshëm dhe të pa merituar nga BE”, Jeremiq tha se ndjeshmëria e BE-së ishte rritur për shkak të ngjarjeve në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale atje. /Telegrafi/

Exit mobile version