Telegrafi

Jeremiq: Letra e Donald Trump, dëshmi se Thaçi e Vuçiq janë afër marrëveshjes

Ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq,  është politikani i parë serb që ka reaguar ndaj letrës së Presidentit amerikan Donald Trump, dërguar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, duke e konsideruar këtë si një dëshmi e takimeve sekrete të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentit kosovar Hashim Thaçi.

Jeremiq, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se kjo letër ëstë një dëshmi se Serbia është vetëm një hap larg tradhtisë së madhe, përcjell Telegrafi.

“Kush nuk beson se Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi mbajnë takime sekrete dhe se janë afër arritjes së marrëveshjes së ‘demarkacionit [korrigjimit] të kufirit’, që nënkupton Kosovën shtet sovran anëtare të OKB-së, ja ku e keni letrën e presidentit amerikan Donald Trump, e cila në mënyrë eksplicite e vërteton këtë.

Jemi një hap larg tradhtisë së madhe historike”, ka shkruar Jeremiq.

Vuk Jeremiq, i cili është kryetar i Partisë Popullore në Serbi, parti opozitare në Kuvendin e Serbisë, është i njohur për zërin e tij kritik ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kundërshton çfarëdo marrëveshje me Kosovën. /Telegrafi/