Site icon Telegrafi

I jepet lamtumira e fundit Hajdin Berishës

Qytetarët i dhanë të dielën lamtumirën Hajdin Berishës, kryetarit të Nismës Socialdemokrate, dega në Malishevë, i cili ndërroi jetë papritur një ditë më parë.

Berisha, i cili shërbente si drejtor i shëndetësisë në komunën e Malishevës, vdiq nga një sulm kardiak, duke lënë pas një trashëgimi të vlerësuar për angazhimin e tij për liri dhe shërbimin ndaj vendit.

Në një mbledhje komemorative ku morën pjesë qindra qytetarë, u nderua puna dhe kontributi i Berishës që nga rinia si pjesëtar i lëvizjes për liri, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe më pas përfshirja e tij në institucione të ndryshme pas luftës.

Të pranishmit e vlerësuan lartë kontributin e tij në të gjitha periudhat, duke e kujtuar atë si një patriot të palodhur.

Kryetari i veteranëve të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, theksoi se Berisha ishte dalluar për angazhimin dhe sakrificën e tij gjatë luftës, edhe kur ishte plagosur, duke qëndruar gjithmonë në vijë të parë.

Kryeziu shtoi se pas luftës, Berisha mbeti një figurë e respektuar për të gjithë, pavarësisht përkatësisë politike.

Ai shënoi gjithashtu se Berisha ishte veterani i 118-të që ndërroi jetë pas luftës në komunën e Malishevës.

Ndërkohë, kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kujtoi Berishën si një njeri me vlera të larta dhe solidaritet të veçantë, sidomos gjatë periudhës së pandemisë, ku ai, si nënkryetar komune, kishte luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e situatës.

Kastrati theksoi se Berisha besonte se çështja shqiptare nuk mund të zgjidhej ndryshe veçse përballë armikut, duke nënvizuar kështu devotshmërinë e tij ndaj vendit dhe popullit të tij.

Exit mobile version