Në varrezat e Dragodanit u mbajt sot ceremonia e varrimit të fotoreporterit të njohur, Alban Bujari, i cili ndërroi jetë gjatë ditës.
Familjarë, miq, kolegë dhe personalitete të shumta u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut që, përmes objektivit të tij, dokumentoi momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Alban Bujari, i njohur për punën e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë, solli përmes fotografive realitetin e dhimbshëm të popullit shqiptar, duke dëshmuar tmerret dhe vuajtjet e asaj periudhe.
Kolegu i tij, fotoreporteri Ridvan Slivova, e kujtoi me dhimbje humbjen e Albanit, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë së tij profesionale.
“Ka qenë një lajm i papritur, tronditës. Nuk e kam përjetuar mirë, sepse kemi kaluar shumë sfida bashkë. Shpesh na është dashur të mposhtim frikën përmes njëri-tjetrit. Sot, në këtë përvjetor të një masakre që ai e ka dokumentuar me fotografitë e tij, ai na mungon shumë. Albani ndoshta ka ndërruar jetë, por veprat e tij do të mbesin gjithmonë histori”, u shpreh Slivova.
Humbja e Alban Bujarit lë një boshllëk të madh në botën e fotoreportazhit, por puna e tij do të vazhdojë të flasë për të, duke i mbetur brezave si dëshmi e një periudhe të vështirë të historisë së Kosovës.