Telegrafi

Jepet drita e gjelbër, të gjithë ushtarët gjermanë duhet të vaksinohen kundër coronavirusit – nuk ka përjashtime

Vaksinimi kundër coronavirusit në të ardhmen do të jetë i obligueshëm për ushtarët gjermanë, pasi që numri i rasteve të reja po vazhdon të rritet në tërë Gjermaninë, kështu ministria e Mbrojtjes mori vendimin për vaksinim.

Ministria gjermane e Mbrojtjes, ka konfirmuar sot se zyrtarët dhe përfaqësuesit e ushtrisë mbrëmë janë pajtuar që vaksina kundër coronavirusit të shtohet në listën e vaksinave që ushtarët gjermanë duhet t’i marrin, transmeton Telegrafi.

Vaksinat kundër COVID-19 akoma zyrtarisht nuk është shtuar në këtë listë, kanë thënë ndër tjera nga ministria gjermane e Mbrojtjes.

Sipas të dhënave të djeshme, në mesin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe ministrisë së Mbrojtjes, ka pasur 1.215 raste aktive me coronavirus.

Gjermania ka regjistruar në 24 orëve të fundit 45.326 raste të reja me COVID-19, si dhe 309 të vdekur si pasojë e infektimit.

Nga 83 milionë gjermanë, rreth 68 për qind janë vaksinuar me dy dozat, që i bie për 8 përqind nën nivelin e kërkuar nga ekspertët shëndetësorë. /Telegrafi/