Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri kanë dhënë detaje në lidhje me aksionin e përbashkët të policisë së Kosovës, Shqipërisë e Italisë, ku dyshohet se janë gjetur mbi 2 tonë lëndë narkotike në Lipjan.
Kreu i SPAK, Arben Kraja ka dhënë detaje për ABC lidhur me kokainën e kapur në Kosovë dhe që kishte përdorur portin e Durrësit si tranzit.
Mësohet se operacioni ka qenë i përbashkët mes SPAK dhe DEA-s amerikane si dhe me policinë italiane e atë të Kosovës.
“Operacioni i përbashkët mes SPAK, DEA-s, policisë italiane dhe asaj të Kosovës. Sasia e kokainës ende po peshohet.” ka thënë Kraja.
ABC ka siguruar fotot e kokainës së kapur në një kamion në Kosovës. Kokaina ishte fshehur në një konteiner me mish që vinte nga Brazili. Ndërkohë kokaina ishte futur në disa pako kartoni, ndërsa ambalazhi dyshohet të jetë i ngjashëm me paketimin e mishit për tu kamofluar.
Siç mëson abcnews.al, bëhet fjalë për një operacion të kryer nën koordinimin e DEA-s amerikane, të cilët kishin informacion që në origjinë për ngarkesën në fjalë duke i vendosur GPS për të parë se ku do të shkonte.
Krahas DEA-s, në operacion janë përfshirë pala italiane, si vendi ku konteineri bëri tranzitin për në Shqipëri, pala shqiptare si edhe policia e Kosovës pasi u zbulua se cili do të ishte destinacioni final i tij. /Telegrafi/