Kimberly Cheatle ka dhënë dorëheqje prej pozitës së drejtoreshës së Shërbimit Sekret Amerikan.
Cheatle ishte nën presion të shtuar nga politikanët në Capitol Hill pas dështimeve të Shërbimit Sekret për të parandaluar atentatin ndaj Donald Trumpit në një tubim zgjedhor në Pensilvania.
Ajo kishte thënë dje se do të qëndronte në këtë rol deri në përfundim të hetimeve për ngjarjen 13 korrikut, shkruan cnn.
Ndërkohë, kryetari i Kongresit amerikan, Mike Johnson u tha gazetarëve se dorëheqja është “e vonuar”.
“Ne duhet të rindërtojmë besimin e popullit amerikan te Shërbimi Sekret si një agjenci. Ajo ka një përgjegjësi tepër të rëndësishme në mbrojtjen e presidentëve, ish-presidentëve dhe zyrtarëve të tjerë në degët ekzekutive dhe ne kemi shumë punë për të bërë”, pohoi ai.
Kujtojmë se kandidati republikan për president i kishte shpëtuar një atentati, kur i dyshuari e kishte plagosur në vesh pasi e kishte shënjestruar me armë zjarri.
Ndryshe, presidenti aktual amerikan, Joe Biden e kishte sjell 54-vjeçaren në vitin 2022 në pozitën e Shërbimit Sekret Amerikan. /Telegrafi/