Site icon Telegrafi

Jep dorëheqje qeveria rivale në Libi

Qeveria rivale në lindje të Libisë, ka dhënë dorëheqje të hënën, pas protestave që janë nxitur nga kushtet e jetesës dhe korrupsioni në këtë shtet.

Përgjatë fundjavës, protestuesit në Bengazi kanë hapur zjarr në selinë e qeverisë.

Ata po ashtu janë përleshur për herë të parë edhe me forcat e sigurisë në zonën e gjeneralit, Khalifa Haftar.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi ka shprehur “shqetësim të thellë” për raportimet se një civil është vrarë.

Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se zyrtarët kanë hapur zjarr edhe ndaj protestuesve, dhe për pasojë pesë prej tyre janë plagosur.

Një zëdhënës i gjeneralit Haftar ka thënë se administrata përkrah protesta paqësore mirëpo nuk do të lejojë “që terroristët dhe Vllazëria Myslimane”, t’i pushtojnë ata.

Libia është shkatërruar nga dhuna, prej kur ish-udhëheqësi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti më 2011 nga forcat e përkrahura nga NATO-ja.

Deri më tani, protestuesit kundër situatës në Libi janë fokusuar kryesisht në kryeqytetin Tripoli, atje ku vepron Qeveria e Akordit Kombëtar, e njohur edhe nga Kombet e Bashkuara.

Forcat e gjeneralit Haftar patën nisur një ofensivë për të pushtuar Tripolin në prill të vitit 2019, mirëpo mbështetja ushtarake nga Turqia u ka ndihmuar forcave qeveritare që të kthejnë mbrapsht forcat e gjeneralit Haftar, që mbështeten nga Rusia.

Një armëpushim në mes të qeverive paralele të Libisë është bërë i ditur muajin e kaluar, shkruan REL.

Gjenerali Haftar mbështetet edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, derisa Qeveria e Akordit Kombëtar gëzon mbështetjen e Turqisë, Katarit dhe Italisë.

Libia ka rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në Afrikë.

Prej muajit janar, një grup i armatosur, besnik ndaj gjeneralit Haftar, ka bllokuar zonat e naftës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Kjo gjendje i ka kushtuar Libisë miliarda dollarë.

Exit mobile version