Site icon Telegrafi

Jep dorëheqje prorektori Naser Sahiti, ORCA mirëpret largimin e tij

Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës, Naser Sahiti dha sot dorëheqje nga pozita e prorektorit, për shkak të mospajtimeve me rektorin Marjan Dema.

Pas dorëheqjes së prorektorit Naser Sahiti, ORCA ka ritheksuar se prorektori ka luajtur një rol negativ në rastin e fundit të avancimeve të “supermenëve” të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, duke u munduar ta relativizojë atë që në publik është perceptuar si shkelje e integritetit akademik.

Lidhur me rastin e “supermenëve” të UP-së që u avancuan me nga 18 e 19 punime të bëra në një vit e gjysmë, prorektori Sahiti ka bërë shaka me shkencën, të ardhmen e universitetit dhe integritetin akademik duke relativizuar se “Ne nuk mund ta dimë si janë bërë ato punime, nëse kandidatët e caktuar kanë punuar me vite dhe të themi pastaj janë ulë, i kanë shkruar, i kanë botuar”.

ORCA kërkon që në këtë pozitë të vendoset dikush me kredibilitet të lartë akademik, ndërsa pret që rasti i ‘supermenëve’ të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe të gjitha rastet tjera të dyshuara për shkelje të integritetit akademik, të ligjeve dhe rregullativës në fuqi, të rishqyrtohen sipas Statutit të UP-së.

Exit mobile version