Site icon Telegrafi

Jep dorëheqje nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati

Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

“Nënkryetari i Komunës, Naim Ferati dha dorëheqjen, i përkushtohet avancimit profesional. Numri dy i Ferizajt, Naim Ferati i cili që nga viti 2007, mbajti poste publike në qeveritë lokale, dikur drejtor jashtëzakonisht i suksesshëm i kulturës, rinisë dhe sportit e në Qeverinë Aliu numri i dytë i saj, deklaroi sot dorëheqjen nga kjo pozitë, me qëllim të përkushtimit e avancimit të mëtejmë profesional”, ka shkruar ai në Facebook.

Aliu ka falënderuar Feratin për shërbimin e tij në Komunën e Ferizajt.

“Falënderues për kohën e shërbimit, qasjen kreative e efektive për menaxhimin me segmente e sektorë të administratës komunale ndaj tij”.

Ai tha se figura politike e nënkryetarit Ferati, paraqet një vlerë të shtuar për politikën ferizajase.

I pari i Ferizajt ka theksuar se Naim Ferati do të ushtroj detyrat e domosdoshme deri në plotësimin e pozitës vakante, që pritet të ndodh ditëve në vijim./Telegrafi/

Exit mobile version