Telegrafi

Jep dorëheqje Ministri italian i Kulturës pas zbulimit të aferës me influencuesen të cilën tentoi ta punësojë si këshilltare në ministri

Ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, ka dhënë dorëheqje pas reagimit të ashpër për aferën e tij me një influencuese të cilën ka tentuar ta punësojë si këshilltare në ministri.

Sangiuliano, një ish-gazetar 62-vjeçar, është përballur me një stuhi mediatike që kur Maria Rosaria Boccia, një sipërmarrëse e modës, tha muajin e kaluar se ajo ishte nominuar si “këshilltare e ministrit për ngjarjet kryesore”.

Ministria e Kulturës fillimisht e mohoi një emërim të tillë, por Sangiuliano më vonë shpjegoi se kishte pranuar ta merrte atë si një konsulente të papaguar përpara se të ndryshonte mendje për shkak të konfliktit të interesit, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Në një letër drejtuar kryeministres Giorgia Meloni, Sangiuliano tha: “E konsideroj të nevojshme që unë të dorëzoj dorëheqjen time”.

Ndërkohë, në një intervistë të përlotur, Sangiuliano pranoi se Boccia kishte qenë e dashura e tij, i kërkoi falje gruas dhe Melonit dhe tha se kryeministrja kishte refuzuar ofertën e tij të parë për të dhënë dorëheqjen.

Meloni zgjodhi shpejt Alessandro Giulin, kreun e muzeut të arteve bashkëkohore MAXXI në Romë, si zëvendësuesin e Sangiulianos dhe ai do të betohet më vonë të premten.

Ndryshe, ky ishte zëvendësimi i parë ministror në qeverinë e krahut të djathtë të Melonit, e cila gjatë dy viteve të fundit dukej solide, me vlerësime të larta të popullaritetit dhe përballë një opozite të ndarë. /Telegrafi/