Site icon Telegrafi

Jep dorëheqje gazetarja që e intervistoi Bidenin – ajo bëri pyetje që ia kishte kërkuar ekipi i presidentit

Një prezantuese e radios në Philadelphia, e cila i bëri disa pyetje presidentit amerikan, Joe Biden më 3 korrik, ka dhënë dorëheqje pasi paraprakisht ishte marrë vesh me ekipin e demokratit se çfarë pyetje t’i parashtronte 81-vjeçarit.

Andrea Lawful Sanders, e cila drejton “The Source” në radio stacionin lokal WURD, i bëri Bidenit katër pyetje të tilla në një intervistë që ai dha pas debatit të parë presidencial.

WURD, i vetmi radio stacion në pronësi të njerëzve me ngjyrë në Pensilvani, tha se intervista ishte rregulluar pa dijeninë ose konsultimin e menagjmentit, raporton newyorktimes.

Në një deklaratë, presidentja e WURD, Sarah M. Lowmax tha se pyetjet e paraqitura nga ekipi i fushatës “shkelin praktikën tonë për të mbetur media e pavarur”, transmeton Telegrafi.

“Si stacioni i vetëm radiofonik i pavarur në pronësi të njerëzve me ngjyrë në Pensilvani, WURD Radio ka kultivuar besimin e audiencës sonë për 20 vjet. Kjo është diçka që ne e marrim shumë seriozisht. Dakordimi për një pjesë të caktuar të pyetjeve komprometon besimin dhe nuk është praktikë e WURD Radio”, tha Lowmax.

Në një intervistë për mediat amerikane, Lawful Sanders tha se ekipi i Bidenit i dërgoi asaj tetë pyetje, katër prej të cilave ajo i bëri. Një prezantues tjetër i radios, i cili gjithashtu intervistoi Bidenin në Milwaukee, tha se atij iu bënë pyetje para intervistës, kështu që ai nuk mund të pyeste gjithçka që donte.

Një zëdhënës i fushatës së Bidenit u tha mediave se nuk ishte e pazakontë që ata të ndanin tema të bisedës dhe se Sanders ishte i lirë të bënte pyetje të tjera.

“Ne nuk i kushtëzojmë intervistat me pranimin e pyetjeve tona dhe gazetarët janë gjithmonë të lirë të bëjnë pyetje që ata mendojnë se do t’i japin informacionin më të mirë audiencës së tyre”, tha një zëdhënës i fushatës. /Telegrafi/

Exit mobile version