Drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, informon se ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.
Në një postim në Facebook, Besimi shkruan se për shkak të përgjegjësisë morale, ai jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës.
“Si mjek, i cili tërë jetën time profesionale i’a kam përkushtuar shërimit të bashkëqytetarëve tanë dhe si njeri i parë i Spitalit Klinik të Tetovës, me të cilin udhëheq gjatë viteve të fundit, ndjej përgjegjësi morale nga ngjarja e tmerrshme në të cilën u shuan jetë njerëzish. Të nderuar, me dhimbje të pashuar për çdo viktimë dhe çdo familjarë të tyre, Ju informoj se për shkak të kësaj përgjegjësie morale që e ndjej, jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë”.
“Pas kësaj ngjarje të tillë tragjike dhe fatkeqe, ky vendim është i pashmangshëm. Njëkohësisht, shpresoj që të përfundojë hetimi i plotë sa me shpejtë dhe të zbardhen arsyet e zjarrit në Qendrën modulare të Klinikës së Tetovës për pacientët me Covid-19. Dorëheqja ime nuk do t’i ngushëllojë familjet, por besoj se do të vendos një linjë morale të cilën të gjithë ne si shoqëri e kemi harruar”.
Humbja e jetës njerëzore në një gjendje të tillë është tragjedi e madhe. Funksioni nuk qëndron para dinjitetit dhe humanitetit. Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë!
Unë me besim të plotë tërë jetën time e kam vënë në shërbim të shëndetit të qytetarëve dhe të shoqerisë tonë. Shpreh respekt dhe ngushëllime ndaj tetovarëve të mi dhe unë do të mbetem në shërbim të përhershëm të tyre”, shkruan Besimi./Telegrafi/