Presidenti i federatës spanjolle të futbollit, Luis Rubiales është në telashe.
81 futbolliste spanjolle kanë nënshkruar një letër kolektive duke refuzuar të luajnë për Spanjën derisa Rubiales të largohet.
Natyrisht, Jenni Hermoso është emri i parë në listën e nënshkrimeve.
Edhe pse Rubiales pretendon se puthja që i dha asaj gjatë festimeve të Kupës së Botës ishte ‘konsensuale’, Hermoso tani e ka hedhur poshtë pretendimin.
Duke folur për Marca-n, Hermoso ka thënë: “Dua të sqaroj se, siç shihet në pamjet, në asnjë moment nuk kam dhënë pëlqimin për puthjen që ai më dha dhe, natyrisht, në asnjë rast nuk e afrova presidentin”.
“Nuk duroj që fjala ime të vihet në dyshim dhe aq më pak të shpikin fjalë që nuk i kam thënë kurrë”.
Të premten, më 25 gusht, Rubiales mbajti një konferencë shtypi në të cilën u mbrojt, duke thënë disa herë se nuk do të japë dorëheqjen.
Hermoso është golashënuesja më e mirë i të gjitha kohërave për Barca Femeni dhe Spanjë. Ajo aktualisht luan në Meksikë për Pachuca. /Telegrafi/