Telegrafi

“Jeni i ftuar në QKUK t’i bëni analizat për coronavirus…”, kujdes nga ky mesazh i rremë që po u dërgohet në telefona

Numri i personave të prekur në Kosovë me COVID-19 ka arritur në 108.

Pavarësisht kësaj situate, dhe rekomandimeve që po ipen nga institucionet përkatëse shëndetësore, dikush po synon që të përhapë panik përmes shpërndarjes së një mesazhi të rremë.

Një mesazh i tillë i cili po u dërgohet në telefonat personal, nuk vjen nga IKSHPK-ja apo QKUK.

Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin zyrtarë nga QKUK-ja dhe MSH-ja, të cilët kanë thënë se QKUK dhe Ministria e Shëndetësisë nuk ka dërguar asnjë mesazh.

“Jeni i ftuar që të bëni analizat në QKUK, sepse Grupi i gjakut tuaj është shumë i prekur nga ky virus. Ftoheni nesër në ora 09:00 të jeni në QKUK. Gjitha të mirat”, thuhet në mesazhin që tashmë veç u është dërguar disa qytetarëve, e i cili mesazh ka filluar të shpërndahet në rrjetet sociale.

I njëjti mesazh është shpërndarë edhe në faqen e krijuar në Facebook me emrin “Vullnetarët kundër coronavirusit në Kosovë”, ku është kërkuar të dihet se nga kush po u shpërndahet ky mesazh në telefonat personal të qytetarëve.

Madje disa prej qytetarëve e kanë quajtur “shaka pa kripë”.

Ndryshe Telegrafi ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për të parë nëse është raportuar për këtë çështje. /Telegrafi/