Site icon Telegrafi

Jemi shoqëri frikacake – qyqarë që e fshehim frikën me rrena!

Mbaj mend se pas lufte, kur po fillohej të degradohej çdo gjë – nga historia deri te arkitektura e atyre pak qyteteve që kishim – ka pasur pak përpjekje që ky degradim të stopohej.

Në një patrullë policie vinte edhe një inspektor që kishte për detyrë të ndërhynte menjëherë, kur vërenim se dikush po ndërtonte diçka pa leje (gjithkush ndërtonte gjithçka – u mor vesh – pa leje). Atë ditë, inspektori ynë qëlloi të ishte një mesoburrë i prerë, hijerëndë, i sertë e arrogant. Shikuam njëri-tjetrin dhe – duke e ditur se çfarë sillte tetorëshi i punës në Prishtinën e vitit 2001 – kjo na pëlqeu.

Filluam të patrullonim nëpër Prishtinën, e cila dukej si viktimë e pafuqishme së cilës iu kishin gjuajtur në shpinë qindra ujq të uritur dhe po ia nduknin copat e mishit. Papritmas, pamë dy-tre persona që po mihnin pranë trotuarit. Kur u ndalëm, vërejtëm se kishin vënë disa dërrasa të kalbura dhe të këqija dhe se po përpiqeshin ta nivelonin dheun aty, për ta vendosur një kabinë të keqe në ballë të së cilës shkruhej “Hamburger”. Inspektori ynë nuk na priti, kërceu nga vetura dhe me arrogancë ua shkelmoi dërrasat. I kërcënoi ata persona se nuk bën ta vendosnin kioskun pa leje dhe kudo ku atyre u pëlqente.

Nuk na pëlqeu shumë mënyra e tij, por, me kolegun shikuam prapë njëri-tjetrin. Me sy e “thamë” fjalinë: “E gjetëm njeriun për ta ndalur punën e atij t’fortit që po e shkatërronte një park të tërë”.

Hop në veturë dhe e dërguam drejt tek një kantier pa leje, që po ndërtonte një diçka si mish të egër në atë mjedis. U befasuam kur inspektori ynë nuk luajti vendit. U kërrusë pak. E shikuam! Nuk lëvizi. E hapëm derën e veturës dhe i thamë se ishte rasti i njëjtë sikur ai ku ky kishte shqelmuar dërrasat. Dallonte vetëm nga përmasat, sidomos nga ato të së keqes, të së ligës e të shëmtuarës.

Megjithatë, inspektori nuk po luante vendit. Me tension të ngritur iu afruam dhe i thamë të dilte jashtë e ta bënte punën e tij. Refuzoi! Të frustruar dhe duke kujtuar dërrasat e shkelmuara të atij mjeranit të mëparshëm, ngritëm tonin dhe po i flisnim ndryshe. Nuk ndryshoi asgjë: inspektori nuk luajti vendit. Vetëm shtoi: “Këtu nuk dal”. Të revoltuar – dhe tanimë jashtë kodit tonë të punës – filluam ta kërcënonim se ai duhej ta kryente detyrën e tij zyrtare. Asgjë! Inspektori arrogant nuk luante nga sedilja e veturës sonë zyrtare. Dikur shtoi me gjysmë zëri: “Këtu nuk dal, dua të jetoj”!

Inspektori ynë, një mendjemadh hijerëndë, një fodull me kravatë, një zyrtar i yndyrosur e i lyer, kishte qenë frikacak. Frikacak si shumë nga ne. Sikur të gjithë ne.

Sepse:

Krejt kohën flasim për trima e heronj;

Krejt folklori – për trima e heronj;

Krejt këngët – për trima e heronj;

Krejt vjershat që i mësojnë fëmijët tanë në çerdhe e në shkollat fillore – për trima e heronj;

Krejt historia – për trima e heronj;

Krejt diskursi politik e ideologjik – për trima e heronj;

Krejt, gjithçka e tërë kohën… veç për trima e heronj…

.. e në anën tjetër….

.. nuk gjen për ilaç, asnjë, asnjë, asnjë dhe asnjë Prokuror për farë që, sipas detyrës – zyrtare, profesionale, morale, kombëtare e njerëzore – të dalë dhe të punojë e të luftojë të keqen.

Një Prokuror (me rrogë 2700 euro, me revole me leje, me policë të mbrojtjes së afërt që ia monitorojnë banesën dhe me kushte tjera që shteti i varfër i Kosovës ia ofron me zemërgjerësi)!

Asnjë Prokuror për be!

Asnjë!

Prandaj:

A ndalemi pak dhe ia vëmë gishtin kokës:

A ndodhë që po e rrejmë vetveten?!

A ndodhë që po vazhdojmë me i eduku fëmijët tanë me rrena?!

Me rrena që e mbulojnë realitetin e squlljes së kësaj shoqërie!

Me rrena që mbulojnë të vërtetën e madhe:

Ne jemi frikacakë!

Ne jemi shoqëri frikacake!

Ne jemi qyqarë që fshehin frikën e tyre më mendjemadhësi, arrogancë e rrena!

Sidomos me rrena

Exit mobile version