Dashamirët e filmit janë mësuar që të qeshin sa herë që shfaqet Melissa McCarthy në ekran, duke qenë se aktorja zakonisht i zgjedh rolet komike.
Mirëpo, në dramën e re biografike të regjisores Marielle Heller, ajo do të vijë shumë ndryshe.
Në filmin “Can You Ever Forgive Me?”, Melissa luan rolin e shkrimtares Lee Israel, e cila në vitet e tetëdhjeta kishte rënë në krizë të madhe financiare, sepse askush nuk donte t’i publikonte veprat e saj.
Në këto rrethana, asaj i kishte rënë në dorë një letër e komikes Fanny Brice, të cilën arriti ta shiste për shumë më tepër para sesa fitonte nga romanet e veta.
Nga ai moment, shkrimtarja vendos t’i shfrytëzojë letrat e yjeve tjera duke përfituar para, mirëpo gjërat shkojnë për të keq.
Skenarin e kësaj drame, të bazuar në ngjarje të vërtetë, e ka shkruar Nicole Holofcener duke u bazuar në ditarin origjinal të shkrimtares.
Sipas kritikëve të filmit, McCarthy duket ndryshe dhe interpreton ndryshe, duke qenë se jemi mësuar ta shohim në komedi.
Krahas saj, në këtë film do të luajnë edhe Julie Ann Emery, Joanna Adler, Richard E. Grant, Marc Evan Jackson dhe aktorë të tjerë.
“Can You Ever Forgive Me?” do të fillojë të shfaqet nëpër kinema nga 19 tetori i këtij viti. /Telegrafi/