Qeset plastike janë një nga ndotësit më të mëdhenj të ambientit në tërë botën. Një qese plastike zakonisht mund të përdoret për vetëm 30 minuta, por do të duhen 500 vite për t’u dekompozuar. Shumë prej tyre hidhen në lumenj e më pas përfundojnë në dete, ku janë duke shkaktuar shumë probleme.
Depozitimi i qeseve plastike në natyrë bëhet në mënyrë të pakontrolluar, duke u kthyer në një prej problemeve mjedisore më akute, si me pamjen e tyre ashtu edhe me dëmin mjedisor që shkaktojnë.
Qesja e parë plastike e përdorur daton në fillimi të viteve 1950. Ajo ishte ndryshe nga qeset plastike që shohim sot. Dorezat ishin aplikuar në një mënyrë tjetër dhe përbërja ishte plastikë e ndryshme dhe më e rëndë.
Modeli që njihet në ditët tona u shpik nga një inxhinier suedez në vitin 1965. Përkeqësimi dhe dëmtimi mbarë botëror i mjedisit nga qeset plastike filloi në fund të viteve 70-ta dhe në fillim të viteve 80-ta. Sipas një përllogaritje të Agjencisë amerikane të Mbrojtjes Mjedisore, konsumi në mbarë botën është midis 500 dhe 1,000 miliardë qese plastike në vit, të cilat transformohen në qindra milionë ton mbetje.
Përqindja e përdorimit për person të qeseve ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Në Evropë, konsumimi vjetor vlerësohet të jetë përreth 100 miliardë qese plastike. Anglezët përdornin për blerjet e tyre rreth 10 miliardë qese plastike në vit. Francezët përdornin rreth 13 miliardë, ndërsa italianët më shumë se 15 miliardë qese në vit. Mesatarja evropiane për shtet është 13 miliardë qese plastike për çdo vit. Vetëm 1 për qind e qeseve plastike janë të riciklueshme në mbarë botën.
Në Kosovë ka mungesa të mëdha të klasifikimit të mbeturinave dhe të riciklimit të tyre, e gjithashtu hedhja e mbeturinave dhe e plastikës nëpër vende jo adekuate e nëpër rrugë është bërë një problem i madh për vendin tonë, i cili po e dëmton rëndë ekosistemin dhe gjallesat e ndryshme përfshirë edhe njerëzit. Ky është një problem që është shpërfillur nga qytetarët në mungesë të vetëdijesimit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës përgjatë një viti, mesatarja e mbeturinave për kokë banori është 253 kilogramë.
Ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit për ndikimin e plastikës dhe mbeturinave në ekosistem ka dalë të jetë sfidë botërore.
Shumë vende të Evropës edhe rajoni ka nisur të ndalojë përdorimin e qeseve plastike. Kur do t’i bashkohet Kosova Maqedonisë që tashmë i ka ndaluar me ligj apo Shqipërisë që pritet nga 1 qershori t’i heqë nga përdorimi qeset plastike?
Në një prononcim për Motilokal.com, zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Linda Çavdarbasha tha se me qëllim të menaxhimit të drejtë të mbeturinave sidomos për reduktimin e qeseve të plastikës njëpërdorimëshe dhe përfitimit të materialeve ricikluese nga qeset e plastikës MMPHI ka formuar një grup punues ku janë të përfshira të gjitha palët e interesit.
Ajo theksoi se paraprakisht, janë mbajtur takime me palët e interesit dhe kemi arritur në konkluzion se formimi i këtij grupi gjithëpërfshirës do të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme dhe të qëndrueshme sa i përket reduktimit të qeseve të plastikës.
“MMPHI me ndihmën e GIZ-it po ashtu ka angazhuar një ekspert i cili do të bëjë një hulumtim për ndikimin e qeseve të plastikës në mjedis dhe njëkohësisht do të vazhdojnë punën me grupet e interesit që duhet të jenë pjesë e sistemit dhe të jenë të përfshirë në projekt. Varësisht prej studimit/hulumtimit dhe rekomandimeve të dala nga grupi punues do të ndryshohet dhe plotësohet legjislacioni sekondar që ka të bëjë me reduktimin e qeseve plastike njëpërdorimëshe. Gjatë këtij viti do të përfundojë i gjithë procesi, në mënyrë që të fillohet me implementim nga viti 2023”, u shpreh Çavdarbasha.
E pyetur se nëse është duke u diskutuar kjo temë, cila formë pritet të jetë, që qeset të jenë me pagesë apo të largohen krejtësisht nga përdorimi dhe qytetarët të nxiten t’i marrin nga shtëpitë e tyre torbat.
“Aktualisht, jemi duke pritur rekomandimet nga hulumtimi, mirëpo në parim jemi që qeset e plastikës të bëhen me pagesë (çmim ky i cili do të përcaktohet nga hulumtimi). Opsion tjetër kemi edhe futjen në treg të qeseve të letrës dhe qeseve të materialit (tekstil) për përdorim, me ç’rast qytetari do ketë mundësi të zgjedh se cilën nga to dëshiron ta përdorë. Kështu qytetarët do të fillojnë të mendojnë më shumë për mbrojtjen e mjedisit dhe shpresoj shumë që zgjedhjet e tyre do jenë sa më miqësore me mjedisin”, përgjigjet ajo.
Çfarë politika të tjera ka Qeveria për minimizimin e mbeturinave të plastikës dhe a ka riciklues të plastikës në Kosovë?
“Qeveria është duke i shtyrë përpara politikat e gjelbra. Rëndësi gjatë fillimit të këtij mandati i është dhënë edhe miratimit të ‘Strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave’, strategji kjo e cila përcakton projektet konkrete që drejtohen drejt ekonomisë së gjelbër qarkore. Përpos iniciativës për reduktimin e qeseve të plastikës, MMPHI në bashkëpunim me GIZ po punon rreth projektit të Deposit Refund System (Sistemit të Kthimit të Depozitave) në të cilin do të përfshihet riciklimi i tri kategorive të mbeturinave: shishet e qelqit, shishet e plastikës dhe shishet e kënaçes. Deri tani MMPHI ka evidentuar disa kompani që bëjnë riciklimin e mbeturinave të plastikës, mirëpo është nevoja që të zgjerohet tregu për riciklim dhe ripërdorim, jo vetëm të plastikës por dhe të materialeve të tjera”, theksoi zëvendësministrja.
Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim morri vendim për largimin e tërësishëm nga përdorimi të shisheve dhe gotave të plastikës, duke i zëvendësuar me gota qelqi.
Sipas të dhënave Kuvendi i Kosovës për një muaj, duke llogaritur vetëm sasinë minimale, ka konsumuar minimum 4,600 shishe të plastikës ujë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli në një prononcim për Motilokal.com ka thënë se, Komisioni ka marr vendim që Kuvendi ta ndalojë përdorimin e shisheve dhe gotave të plastikës dje se ky projekt do të realizohet në dy faza.
“Faza e parë: posa të krijohen kushtet në mbledhjet e seancave dhe në takime të Komisioneve do të shërbehet vetëm ujë nga rrjeti publik me shishe dhe gota të qelqit. Për këtë akoma nuk janë krijuar kushtet që të fillojë implementimi. Kjo për arsye se Kuvendi nuk ka kontratë me ndonjë kompani që do të mund të ofronte shërbimet ku përveç shërbimeve tjera ofrohet edhe pastrimi i shisheve dhe gotave. Posa të kemi kontratë me ndonjë kompani do të fillojë menjëherë realizimi i kësaj faze. Tani nuk shërbehet ujë me shishe të plastikës për deputetë në mbledhje të seancave apo të Komisioneve. Deputetët shërbehen me ujë nga ‘bidonët’ të cilët akoma përdorin gota të plastikës, ndërsa një numër i deputetëve tani përdorin shishe/gota shumëpërdorimëshe. Bidonët dhe gotat e plastikës do të largohen menjëherë nga përdorimi në momentin kur të përfundojë faza e dytë e këtij projekti”, u shpreh Pacolli.
Sipas saj, faza e dytë është instalimi i çezmave nëpër korridore dhe hapësira të përshtatshme në ndërtesën e Kuvendit.
“Administrata është duke punuar në realizimin e projektit. Deri më tani janë bërë vlerësimet e hapësirave, konsultimet për planet dhe vendet e posaçme ku do të vendosen çezmat, si dhe testimi i cilësisë së ujit”, thekson ajo.
Pacolli deklaroi se pas konsultimeve me Institutin e Shëndetit Publik dhe Ujësjellësin Rajonal ‘Prishtina’ janë marrë mostrat e ujit brenda ndërtesës se Kuvendit për të parë nëse gypat e ujit në ndërtesë nuk dëmtojnë cilësinë e ujit që vjen nga rrjeti publik.
“Tani kemi rezultatet se cilësia e ujit është e nivelit të duhur dhe mund të fillojmë me instalimet. Arsyeja pse kemi vendosur për instalimin e çezmave është sepse qasja në ujë që ofrohet nga rrjeti publik në ndërtesën e Kuvendit mund të bëhet vetëm brenda tualeteve”, shton Pacolli.
Deputetja thekson se i tërë ky proces pritet të përmbyllet deri në muajin mars.
E pyetur se a do të inicioni ndonjë ligj edhe për largimin e qeseve plastike, duke e ditur çfarë dëmi i shkakton mjedisit, deputetja Pacolli u përgjigj se, “sa i përket qeseve të plastikes po jemi duke punuar me Ministrinë e Mjedisit për të larguar nga përdorimi edhe këto”.
Cilat janë dëmet që shkakton plastika?
Ekologja Egzona Shala për Motilokal.com tregoi se plastika është një term gjeneral që përshkruan një gamë të gjerë të materialeve të ngurta organike sintetike ose gjysëmsintetike të përshtatshme për prodhimin e produkteve industriale.
Ajo tha se plastikët janë zakonisht polimere me peshë të lartë molekulare dhe mund të përmbajnë substanca të tjera për të përmirësuar performancën dhe për të zvogëluar kostot. Ato janë në dispozicion në një numër të madh të varieteteve në të gjithë botën. Vlerësohet se rreth 500 miliardë qese plastike përdoren çdo vit në të gjithë botën.
“Pjesa më e madhe e këtyre qeseve hidhen si mbetje zakonisht pas një përdorimi të vetëm. Besohet gjithashtu se pas hyrjes së tyre në mjedis, qeset plastike mund të vazhdojnë deri në 1000 vjet për të degraduar dhe kështu paraqesin një sfidë largimi pa u zbërthyer nga drita e diellit dhe/ose mikroorganizmat”, tha Shala.
Ajo përmendi disa fakte që shkakton qesja plastike në mjedis:
– Lirojnë gazra të dëmshme kur të digjen;
– Kanë rezistencë të ulët kundër nxehtësisë;
– Nuk janë të biodegradueshme;
– Krijojnë ndotje masive;
– Rreziku në mjedis është i kushtueshëm për shëndet;
– Produktet që lirohen gjatë dekompozimit shkaktojnë kancer;
– Tronditin sistemin e kullimit;
– Krijojnë deponim;
– Vrasin kafshët; dhe
– Shkatërrojnë mjedisin.
Shala shtoi se në përpjekje për të ulur ndotjen plastike, shumë qeveri kanë lejuar përdorimin e qeseve “të biodegradueshme”.
Sipas shpjegimit të saj përbërësit plastik “të biodegradueshëm” (përfshirë qeset plastike) dekompozohen plotësisht vetëm nëse i ekspozohen temperaturave të larta mbi 50°C.
Është koha që të fillojmë të mendojmë që të heqim dorë nga shumë zakone të dëmshme për mjedisin tonë për një jetë më të shëndetshme. Nëse duam të jetojmë në këtë planet, atëherë nuk ka mënyrë tjetër përveçse t’i largohemi asaj që na dëmton neve dhe natyrën. /Shkëlzen Rrecaj/Motilokal.com/