Në protestën e “jelek-verdhëve” sot në Bruksel ka shpërthyer në dhunë, për shkak të të cilës policia është detyruar të përdorë sprej piperi.
Qindra protestues protestuan kundër padrejtësive shoqërore, dhe sipas AP-së, në këtë protestë kishte njerëz me pantallona të zeza që provokuan sulme ndaj organeve të sigurisë.
Disa orë më vonë protestuesit dhe policia u përleshën përsëri jashtë selisë qendrore të Institucionit Evropian.
Pastaj protestuesit u shpërngulën në selinë e Partisë Socialiste të Belgjikës (PS), ku ata u vërsulen të sulmonin ndërtesën me bomba boje.
Policia vazhdoi të përballet me protestuesit me gaz lotsjellës, duke i arrestuar disa, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, miliona votues në 21 shtete të Bashkimit Evropian votuan ditën e sotme, e cila shënon ditën e fundit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.
Gjermania, Franca, Italia, Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Hungaria, janë në mesin e shteteve, që sot votuan përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian prej 751 vendesh.
Holanda, Britania e Madhe, Irlanda, Letonia, Malta, Sllovakia dhe Republika Çeke, kanë votuar më herët pasi në këto vende e diela nuk është dita tradicionale e zgjedhjeve.