Site icon Telegrafi

Jegunoc: 40 për qind shqiptarë, tabelat vetëm në maqedonisht

Edhe pse mbishkrimet nëpër tabela duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe në ato vendbanime ku popullata është mbi 20 për qind shqiptare, në Maqedoninë e Veriut ligji për përdorimin e gjuhës shqipe nuk respektohet dhe nuk përfillet. Rast i këtillë është edhe territori në Komunën e Jegunocit, respektivisht në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë.

Edhe pse në këtë komunë rreth 40 për qind e popullatës janë shqiptarë, megjithatë gjuha shqipe nëpër tabela nuk figuron aspak. Tabelat që janë në këtë pjesë të territorit të Maqedonisë së Veriut janë në gjuhën maqedonase me shkronja cirilike dhe latine, por jo edhe në gjuhën shqipe. Shembull janë tabelat në hyrje të fshatit Orashë dhe Jazhincë, ku tabela është e shkruar “Oрашје” dhe me shkronja latine “Orašje”, por në gjuhën shqipe nuk figuron, ku sipas ligjit në fuqi duhet të jetë Orashë.

Të dy këta fshatra që janë në territorin e Komunës së Jegunocit janë me shumicë absolute shqiptare, por që në hyrje të tyre diskriminohen. Për këto tabela kompetencat i ka Ndërmarrja Publike Shtetërore “Rrugët e Maqedonisë”, e cila për një kohë të gjatë udhëhiqet nga kuadro shqiptar.

Drejtori i kësaj ndërmarrje, Bekim Memeti, në përgjigjen e tij rreth kësaj problematike ka qenë i shkurtë duke theksuar se shumë shpejt do të vendosen tabela të reja ku do të respektohet edhe gjuha shqipe. “Po, do të interevenojmë shumë shpejt për këtë çështje”, ka qenë i shkurtër në përgjigjen e tij Memeti.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Jegunocit, Darko Blazhevski, në territorin e të cilit ndodhen këta fshatra, është shprehur për gazetën Koha se për këtë problematikë ka marrë të njëjtën përgjigje se shumë shpejt do të intervenohet.

“Që para një viti kam reaguar deri tek Ndërmarrja Publike Rrugët e Maqedonisë, e cila është kompetente për tabelat dhe shenjat nëpër rrugët rajonale. Kam marrë përgjigje se do të rregullohen këta lëshime dhe presim”, deklaroi për gazetën Koha, Darko Blazhevski.

Ai ka thënë se kërkesa në adresë të kësaj ndërmarrje është parashtruar për gjithë territorin e komunës që drejton ai, respektivisht nga Zhelina e deri në Jazhincë, drejt kufirit me Kosovën. Krahas mosrespektimit të gjuhës shqipe, këto tabela po ashtu janë dëmtuar dukshëm qëllimisht sepse janë prerë përgjysmë dhe nuk dallohen emrat e fshatrave. Këto tabela janë të dëmtuara në hyrje të fshatit Rogaçevë, që është me popullatë shumicë maqedonase, dhe tabela në fshatin Jazhincë. Rikujtojmë se para një viti, respektivisht më 2 mars të vitit 2020, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kishte deklaruar se tabelat me mbishkrime në dy gjuhët do të ketë vetëm në ato komuna ku shqiptarët janë 20 për qind, ndërsa në vendet ku nuk janë, tabelat do të hiqen. Por, edhe pse në Komunën e Jegunocit shqiptarët janë rreth 40 për qind, kjo e drejtë e garantuar me ligj nuk respektohet. Kurse për mosrespektimin e së njëjtës, në bazë të ligjit për përdorimin e gjuhëve parashihet edhe gjobë. “Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji”, shkruan në nenin 22 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve që ka hyrë në fuqi në vitin 2019.

Në ueb faqen e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës qëndron qartë se si është e rregulluar kjo çështje. “Çdo institucion a organ publik ka për detyrë të sigurojë që shenjat/mbishkrimet të vendosen në gjuhët zyrtare, varësisht nga rrethanat dhe vendi ku ndodhen (neni 7 i Ligjit), shkronjat të kenë të njëjtin font, madhësi, ngjyrë e renditje të njëjtë. Institucionet qendrore janë të detyruara të zbatojnë ligjin në mbishkrimet e institucioneve, sipas nenit 8 tetë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Çdo institucion në nivel lokal është i detyruar që shenjat topografike që shënojnë apo përfshijnë emrat e komunave, fshatrave, rrugëve, rrugicave si dhe të vendeve e të hapësirave të tjera publike, të jenë në gjuhët zyrtare dhe në gjuhët e bashkësive, gjuha e të cilave ka statusin e gjuhës zyrtare në komunë. Emrat e qyteteve dhe vendbanimeve duhet të shkruhen në variantet e gjuhëve zyrtare”, qëndron në sqarimin e kësaj Agjencie se si duhet të shkruhen tabelat në dy gjuhë e që fatkeqësisht në Komunën e Jegunocit kjo e drejtë nuk respektohet./koha.mk/

Exit mobile version