Themeluesi miliarder i kompanisë “Amazon”, Jeff Bezos, është fotografuar të martën duke ateruar në aeroportin e Los Angelesit me të dashurën e tij.
Ai dhe partnerja e tij shumë e përfolur, Lauren Sanchez, u panë duke mbërritur në Los Angeles me një avion privat prej 65 milionë dollarësh të martën, shkruan DailyMail.
Çifti u vu re ulur pranë njëri-tjetrit pranë një dritareje, ndërsa avioni po afrohej drejt bordit të zbritjes.
Miliarderi i “Amazon”, Bezos ishte i pari që doli nga aeroplani ndërsa Sanchez, e veshur me pantallona të bardha dhe bluzë të zezë, e ndoqi atë për në veturën përcjellëse.
Ndërkohë një ditë më pas, jahti luksoz i tipit “Flying Fox” me të cilin Bezos ka lundruar shumë herë është parë brigjeve të Sarandës mëngjesin e së mërkurës.
Fotografitë e publikuara nga mediat në Shqipëri theksonin se jahti luksoz dhe miliarderi mund të gjendeshin potencialisht në trojet shqiptare për të blerë naftë pa akcizë.
Por mesa duket e vërteta qëndron se jahti në fjalë nuk është hera e parë që vjen në Sarandë, dhe se shkon atje çdo verë të furnizojë serbatorin dhe të shpërlajë depozitat e ujërave të zeza, dhe si i tillë i është dhënë me qira një agjencie turistike.
Përndryshe, Bezos, 57 vjeç dhe Sanchez, 51 vjeçe të cilët aktualisht ndodhen në Los Angeles, filluan të takoheshin në vitin 2019, kur Bezos njoftoi se ai dhe gruaja e tij, MacKenzie Bezos, po divorcoheshin.
Sanchez, një reportere, ishte gjithashtu në mes të divorcit të saj me agjentin e talenteve të Hollywoodit, Patrick Whitesell.
Sanchez është fotografuar dy herë me një unazë në gishtin e fejesës që kur filloi të takohej me Bezos, edhe pse çifti nuk e kanë konfirmuar kurrë publikisht se janë të fejuar.
Udhëtimi i çiftit në Los Angeles vjen në mes të një beteje të nxehtë ligjore midis Bezos dhe NASA -s.
“Blue Origin”, kompania e fluturimit hapësinor të Bezos, kohët e fundit ngriti një padi kundër NASA-s, duke pretenduar se një kontratë 2.9 miliardë dollarëshe hënore iu dha padrejtësisht rivalit Elon Musk, ‘SpaceX’ në fillim të këtij viti.
Padia, e paraqitur në Gjykatën Amerikane të Kërkesave Federale të hënën, është e vulosur, por sipas një depozitimi tjetër, ajo “sfidon vlerësimin e paligjshëm dhe të pahijshëm të propozimeve të NASA-s”. /Telegrafi/