Aktori i njohur i filmave aksion, Jean-Claude Van Damme, pritet ta vizitojë Kosovën sot (e diel).
Kështu së paku po pretendon kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Instagram.
Ai ka shpërndarë një video të vet aktorit, ku thotë se do të jetë në Kosovë nga data 16 deri më 18 korrik.
Ky është njoftimi i tij i plotë (pa ndërhyrje):
“Miku i Kosovës, artisti i mirënjohur Jean-Claude Van Damme, po vije në Kosovë.
Ai shumë herë e deklaroi se ka shumë miq shqiptarë, artistë e sportistë, madje bëri shumë herë edhe shqiponjën si shenjë respekti për ne.
Miku im Kushtrim Musliu ka miqësi me artistin e madh Van Damme, i cili vije në Kosovë, për të promovuar markën e orëve të njohura Helfer, nga Zvicra.
Besoj se do t’i pëlqej Kosova, pasi me dekada është në shoqëri të vazhdueshme me shqiptarët në botën e filmit dhe jetën e përditshme”, ka shkruar Ramiz Lladrovci në Instagram.
Ndërkohë, vet Jean-Claude Van Damme nuk ka postuar asgjë në lidhje me këtë në llogaritë e tij në rrjetet sociale. /Telegrafi/