Site icon Telegrafi

Je “figurë” publike, duhet të kesh emision në TV!

Po e nis se më duhet ta nis. Stefano Zecchi ka një libër të titulluar “Njeriu është çka ai sheh”. Një titull që më bën të mendoj për vendin tim, Kosovën e dashur, ku e ndezim TV-në e nuk shohim asgjë.

Kjo “asgjëja” ka tre kuptime që unë nuk i mora asnjëherë të bashkuara në një emision të vetëm. Si audiencë i dua ato tri rregullat e famshme të BBC-së: dua të informohem mirë, të edukohem mirë, e besa edhe të argëtohem sa ma mirë.

“Zanatit t’huj, veç puna e mbar thuj”, thotë një fjalë e urtë popullore. Si duket, këta “të ashtuquajturit” figura publike, i kanë harruar edhe fjalët e urta popullore e po i fusin hundët edhe aty ku nuk iu takon. Mundohu që nga profesioni yt të korrësh sukses, mos korr aty ku nuk ke mbjellë. Ju thjeshtë po zaptoni minutazhin e skemës programore, të cilën e shikon ti, prapë ti dhe askush tjetër.

Kjo formë e televizionit po e largon audiencën kosovare nga kanalet e Kosovës e po e dërgon atë te kanalet e tjera, të cilat s’i takojnë Kosovës. Por, natyrisht se është më mirë që kjo audiencë e veçantë të ketë mundësi për zgjedhje. Populli është lodh nga këto “kinse” fytyra publike. Arsyeja pse këta po paraqiten në kutitë televizive të shtëpive tona, pa i dashur ne, është uni i tyre për t’u dukur e parë si VIP-a. E në fakt, VIP-llëku as që i intereson një populli me probleme të shumta ekonomike e sociale.

Fatmirësisht, telekomanda është në duart e mia dhe kam të drejtë të mendoj nganjëherë se më mirë duket hija ime në prapavijën e zezë të televizorit. sesa këta “kinse” figurat e vetëshpallura persona publikë.

Problemi qëndron edhe tek stafi i TV-së përkatëse. Ata duhet të zgjedhin më të mirën, në mënyrë që emisioni të ketë rrëfim e jo për të parë se kush është pjesë e emisionit.

Ne Facebook pash një koment ku shkruhej: “Ke fol dje në TV dy orë, ku i ke thonë dy fjalë, e sot hape fan-pagen duke shkruar: ‘Përshëndetje fansa’”. Të qeshim apo të qajmë? Më mirë s’po e bëjmë asnjërën. Thjeshtë. po e tejkalojmë këtë dilemë. Mirëpo, është e qartë se për dy milionë banorë, tre milionë VIP-a janë pak si shumë.

E nisa me titullin e librit “Njeriu është çka ai sheh” të Stefano Zecchit. Po e mbyll me një fragment nga kapitulli “Shoqëria në pasqyrë” të të njëjtit libër, ku Zecchi shkruan: “Në fund të fundit, televizioni është spektakël dhe i tillë duhet të mbetet”.

Të nisemi nga kjo, pra.

 

Exit mobile version