Telegrafi

“A je i çmendur? A je budalla?” – Medvedev me akuza të rënda drejt gjyqtarit pasi babai i rivalit të tij fliste gjatë gjithë ndeshjes

Është zhvilluar edhe ndeshja e dytë gjysmëfinale e Australian Open ndërmjet Daniil Medvedev dhe Stefanos Tsitsipas, ku tenisti rus fitoi 3:1 me sete.

Por rusi e humbi plotësisht kontrollin pas përfundimit të setit të dytë.

Setin e parë Medvedev e fitoi me rezultatin 7:6 (5), ndërsa në të dytin greku fitoi me rezultat 6:4.

Mirëpo, pas pikës së fundit në setin e dytë, Medvedev akuzoi rivalin për sjellje jo sportive dhe nuk hezitoi ta shfryjë inatin te gjyqtari i ndeshjes, Jaume Campistol.

Medvedev u ankua se babai i Stefanos dhe trajneri Apostolos vazhdimisht i jepnin udhëzime tenistit grek, gjë që është e ndaluar.

“A je i çmendur? A mund të flasë babai i tij pas çdo pikë? A je budalla? Zoti im, je kaq i keq”.

“Si mund të jesh i tillë në gjysmëfinalen e Grand Slam-it? Më shiko mua! Unë po flas me ty!”, ishin fjalët e  Medvedev, por që ishin të kota pasi gjyqtari nuk reagoi.

 

Medvedev do të luajë në finale të dielën me Rafa Nadal. /Telegraf/