Telegrafi

“Javët e Biznesit Kosovar” synojnë rritjen e konsumimit të produkteve vendore

Të mërkurën janë hapur “Javët e Biznesit Kosovar 2017”, organizim ky i Aleancës kosovare të Bizneseve (AKB). Organizim i këtyre javëve ka për qëllim promovimin e produkteve vendore organizohet për të 15 vit me radhë.

Kësaj here “Javët e Biznesit Kosovar” organizohen nën patronatin kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai tha se prodhuesit vendor nuk do të jenë më vetëm. “Jemi të gëzuar që ndër veprimet e para, kemi vendosur që bizneset të lirohen prej tatimit për teknologjinë, për lëndën e parë, dhe ky është realitet dhe do të hyjë në fuqi së shpejti”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Duke vlerësuar produktet vendore dhe duke bërë thirrje që të konsumohen produktet vendore, ai tha se produkti i origjinës duhet pasur përparësi.

“Kjo nuk është ikje nga vlerat ose mosrespektim i standardeve, i kualiteteve të kujtdo qoftë, por ne jemi vetvetja dhe kështu duhet qëndruar”, tha Haradinaj.

Ai inkurajoi prodhuesit që t’i identifikojnë veprimet që i takojnë Qeverisë për t’i ndërmarrë dhe që kanë të bëjnë me rritjen e kapacitetit të tyre veprues në ekonomi. “Një zëvendësim të produktit të huaj me atë të vendit”, tha kryeministri Ramush Haradinaj Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i AKB-së Agim Shahini, ka kërkuar përkrahje nga institucionet për prodhuesit vendor.

“Ne jemi vazhdimisht në kontakt me publikun sepse jemi të parët që bëjnë përpjekjet për prodhimin vendor. Ne kërkojmë nga institucionet të reformohen politikat”, ka thënë Shahini. /Telegrafi/