Telegrafi

Javën e ardhshme vijnë në Kosovë ekspertët zviceranë që kërkuan hetime shtesë për vdekjen e Astrit Deharit

Foto: Ridvan Slivova

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka publikuar një ftesë nga Prokuroria Speciale për t’u paraqitur në lokalet e policisë në Prishtinë me datë 22 dhe 23 tetor për të marrë pjesë në punën e planifikuar me ekspertët e Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Zvicër- Lausanne, të cilët do të sqarohen lidhur me ekspertizat e tyre të datës 14 qershor 2019 dhe 9 shtator 2019 në lidhje me rastin Dehari.

Gashi, në Facebook ka shkruar se është bërë rikonstruktimi i vendit të ngjarjes ku ka vdekur ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ishte i dyshuar për sulm terrorist mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Ne nuk dimë çka ka bërë Prokuroria dhe të tjerët në qelinë A3, ku e mbajtën 78 ditë Astritin pa e marrë në pyetje asnjëherë zyrtarisht!? Tani na ftojnë të marrim pjesë ne punën me ekspertë zviceranë që do të japin sqarime lidhur me ekspertizat e tyre që e vërtetuan vrasjen e Astriti në burg”, ka thënë Gashi.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 derisa ishte duke u mbajtur si i paraburgosur nën dyshimin se bashkë me një grup tjetër kishin organizuar sulmin terrorist ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.