Në zonën e Kizhevakut është duke u gërmuar për gjetjen e mbetjeve mortore të kosovarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Drejtori i departamentit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu ka thënë për Tribuna Channel, se që nga 29 marsi kur kanë filluar gërmimet, ende nuk ka rezultate.
Gërxhaliu thotë java e ardhshme do të jetë vendimtare për rrjedhën e procesit.
Edhe kryetari komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Prenk Gjetaj ka thënë se po shpresojnë në rezultate në atë pjesë ku po gërmohet.
Ai ka thënë se ende nuk ka përgjigje nga ana e kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë lidhur me letrën me shkrim që familjarët e të zhdukurve ua kanë dërguar atyre.
Në Kosovë dhe Serbi janë disa lokacione në të cilat dyshohet se mund të ketë mbetje mortore. Drejtori i departamentit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu thotë se në bashkëpunim me EULEX-in do të vazhdojnë me gërmime edhe në këto vende.
Të evidentuar si të zhdukur në luftën e Kosovës vazhdojnë të jenë edhe 1,667 persona.