Telegrafi

Javën e ardhshme, pajtimi për Reformën Zgjedhore

Ndonëse ende nuk ka ftesë zyrtare për takimin e liderëve për reformë zgjedhore, zv.kryeministri Hajredin Kuçi ka paralajmëruar se në fillim të javës që vjen, kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, do t’i mbledhë liderët e partive politike në vend për të diskutuar reformën zgjedhore.

“Kryeministri e ka përmend edhe nevojën për reformën zgjedhore dhe dua të besoj se në fillim të javës që do të vije, kryeministri do t’i ftojë të gjithë liderët e partive politike për ta debatuar këtë çështje”, tha Kuçi.

Haki Demolli, Kryetar i Komisionit për Reformë Zgjedhore, i cili tashmë nuk është në funksion, tha për Radio Kosovën se Komisioni ka përgatitur një draft-ligj, i cili mbi 80 për qind është i gatshëm për Kuvend. Mirëpo, ai, problem kryesor e sheh sistemin zgjedhor dhe për këtë shpreson se do të ketë përafrime në takim e liderëve, raporton Radio Kosova.

“Nuk do të kisha thënë se në takimin e radhës do të ketë zgjedhje, por jam i sigurt se do të ketë përafrime, sepse thjesht kur shtrohen solucionet dhe propozimet konkrete, atëherë mund të ketë përafrime dhe besoj se secili subjekt politik do të bëjë ndonjë tolerancë pak a shumë në favor të njëri-tjetrit”, thotë Demolli.

Ndërsa, Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini, e sheh këtë çështje mese të nevojshme dhe urgjente për Kosovën.

“Çështja e reformës zgjedhore po afrohet dhe po bëhet urgjente për Kosovën, dhe po duket se të gjithë janë duke e kuptuar se duhet të lëvizin shpejtë drejtë harmonizimit dhe të shkojmë në reformë. Pra, po bëhet çështje urgjente”, tha Gjini për Radio Kosovën.

Në anën tjetër anëtarë të Vetëvendosjes thonë se administrimi i zgjedhjeve nuk ka qenë asnjëherë në interes të disa subjekteve politike. Albulena Haxhiu nga kjo lëvizje paralajmëron se nuk do t’i përgjigjen takimit me liderë.

“Ne nuk kemi zyrtarisht asnjë njoftim sa i përket këtij takimi. Nëse takimi do të jetë ashtu siç është thënë i organizuar nga kryeministri ne nuk do të marrim pjesë pasi që e dimë se këta nuk janë të interesuar që të bëjnë reformë zgjedhore, por vetëm po mundohen të bëjnë pazar me reformë për interesat e tyre partiake, qëndrim tjetër nuk do të kemi, por nëse thërret kryeministri ne nuk do të marrim pjesë”, thotë Haxhiu.

Reforma zgjedhore ka nisur që nga viti 2011 dhe shihet si ndër kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian, për një sistem më të thjeshtë dhe më transparent, në mënyrë që Kosova t’i plotësojë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. /Telegrafi/