Kjo javë nuk ishte e mbushur me shumë ngjarje ditore pasi për dy ditë radhazi shumica e qytetarëve të vendit kanë pushuar për festa zyrtare – Dita e Kushtetutës dhe Pashkët Katolike.
Mirëpo, Telegrafi ka arritur që përmes syrit të fotoreporterit, Ridvan Slivova të kap disa momente të disa nga ngjarjet e pakta javore – aksioni i Partisë Socialdemokrate (PSD), pamje të grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet, momentin e kryetari të AKR-së, Behxhet Pacollit i ulur për disa minuta në ulëset e deputetëve të PDK-së, si dhe vizita që i bëri kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq vendit tonë.
Në fotografinë e parë, PSD-ja kishte ndërmarr një aksion para objektit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës duke e vendosur gabimisht një mbishkrim “Zajednica nuk është çështje private”, i cili do duhej të vendosej në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi pasi PSD ishte gjobitur me 20 mijë euro nga kjo Agjenci, për “përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale”.
Ndërsa, në foton e dytë shihet një grumbull i madh i mbeturinave të cilat janë jashtë kontejnerëve afër xhamisë në muajin e shenjtë të Ramazanit, si dhe afër muzeu të kryeqytetit.
E, në fotografinë e tretë, shihet se si kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli u ulë në njërën nga ulëset e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjatë seancës që u mbajt këtë javë në Kuvendin e Kosovës.
Ky veprim i Pacollit nuk mbeti në heshtje dhe pa u pa nga syri i Slivovës, i cili po ashtu kapi edhe momentin kur deputeti i LDK-së Arben Gashi ngrit duart lart duke qeshur para Pacollit dhe deputetëve të PDK-së.
Ndërsa, si fotografi të katërt Telegrafi.com ka zgjedhur njërën nga shumë fotografit e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq i cili sot po qëndron në Kosovë.
Në këtë fotografi shihet një takim shumë i afërt i të parit të Prishtinës, Përparim Rama dhe kryeministrit Abazoviq. Po ashtu, Rama, Abazoviqit sot i dhuroi “Çelësin e Prishtinës”.