Java e tretë e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut ka sjellë disa befasi, duke shtuar emocionet në këtë kampionat gjithnjë e më interesant. Struga, që deri tani ishte e pamposhtur, u ndal në mënyrë të papritur, ndërsa Shkupi dhe Besa arritën fitoret e tyre të para në kampionat, njofton Telegrafi.
Shkëndija kryeson renditjen dhe shtohet rivaliteti
Kampionati po bëhet gjithnjë e me më shumë befasi, tani me Shkëndijën që kryeson renditjen pas fitores së fundit në Strumicë ndaj AP Brera. Megjithatë, tetovarët nuk janë të vetëm në krye, pasi me pikë të barabarta ndajnë kreun edhe Gostivari dhe Rabotniçkin.
Shkupi dominues në derbin e qytetit
Shkupi tregoi dominim të plotë në derbin e qytetit ndaj rivalit të përbetuar, Vardarit. Fitorja 3-0 dhe ndryshimi i trajnerit kanë sjellë një pamje të re për Shkupin, që luajti për herë të parë në stadiumin e tyre në Çair. Në këtë ndeshje debutoi me gol Besar Guxhufi, i cili erdhi nga skuadra e madhe turke Beshiktashi. Vardari ka katër vite që nuk ka marrë fitore ndaj Shkupit.
Besa e Dobërdollit shënoi fitoren e parë historike
Skuadra debutuese, Besa nga Dobërdolli, arriti fitoren e saj të parë historike në Ligën e Parë. Me një fitore të rëndësishme ndaj Tikveshit,(skuadrës që vitin e kaluar fitoi Kupën), Besa ka arkëtuar pikët e para dhe pritet të ketë kaluar krizën e debutuesit.
Gostivari vazhdon me fitore
Që para fillimit të sezonit, ishte e qartë se Gostivari kishte ndërtuar një ekip solid dhe konkurrues. Edhe pse luajnë si nikoqirë jashtë qytetit të tyre për shkak të mosmarrëveshjeve me Komunën e Gostivarit, ata ende nuk kanë shijuar disfatën, duke marrë dy fitore radhazi. Në këtë javë, ata mundën Voska Sportin në Ohër me rezultat 2-0.
Rabotniçki befasoi kampionin
Befasia e javës erdhi në Shkup, ku kampioni aktual, Struga, u mund 2-0 nga Rabotniçki. Ekipi nga Shkupi ka treguar që në fillim të sezonit se është një skuadër e vështirë për t’u mundur, duke fituar fillimisht Sileksin, më pas duke marrë pikë në Tetovë ndaj Shkëndijës, dhe tani duke mundur kampionin në fuqi. Në ndeshjen e fundit të javës së tretë, Pelisteri arriti fitoren e parë sezonale, duke mundur Sileksin e Kratovës me rezultat minimal 1-0.
Java e katërt: Ndeshjet e Radhës
Java e katërt do të zhvillohet më 31 gusht, me ndeshjet që fillojnë në ora 16:00. Takimet janë si më poshtë: Besa – Rabotniçki, Shkëndija – Pelisteri, Sileksi – Shkupi, Struga – AP Brera, Tikveshi – Gostivari dhe Vardari – Voska Sport. /Telegrafi/