Site icon Telegrafi

Java e dytë e gjysmëvjetorit shkollor solli pikun e të prekurve nga gripi

Nisja e gjysmë vjetorit të dytë shkollorë ka ndikuar që të rritet edhe më tej numri i të prekurve nga gripi, shkruan Alsat.

Fëmijët gjatë javës që lamë pas kanë qenë vizitorët më të shpeshtë të ambulancave mjekësore, për shkak të gripit.

Mjekja Biljana Jovanoska thotë se ndodhë që një fëmijë të ketë disa lloje të kombinuara të gripit.

“Gjatë javës së kaluar është vërejtur intensitet dhe rritje e rasteve. Me shumë mundësi bëhet fjalë për pikun e virusit influencë. Në mënyrë intensive ka pacientë me simptoma që asocojnë në grip, me rritje të temperaturës mbi 39 gradë që nuk ulet lehtësisht, kryesisht të rrugëve të frymëmarrjes, megjithatë intensiteti po vërehet, ka rritje serioze”, tha Biljana Jovanoska Dimitroska, mjeke amë.

Përveç fëmijëve, edhe personat mbi moshën 60 vjeçare kanë qenë më të ekspozuarit ndaj gripit. Ka pasur raste edhe që një person është infektuar dy herë me grip, për shkak të imunitetit të dobët.

“Pasi ekzistojnë më shumë lloje të gripit, pra edhe imuniteti është specifik. Ekzistojnë variante dhe mutacione të gripit, pra gjithçka varet prej llojit, sepse është lloji A, lloji B. Lloji A është më i prirë i mutacioneve dhe për këtë mund të ndodh që një njeri në të njëjtën sezonë të kalojë disa lloje të viruseve… mund të ndodhë që të infektohet përsëri ose me të njëjtin mutacion ose me ndonjë lloj tjetër të gripit për këtë arsye përsëritet”, u shpreh Biljana Jovanoska Dimitroska, mjeke amë.

Mjekët apelojnë kujdes të shtuar, higjienë personale, ushqim me vitamine, ajrosje e ambienteve të mbyllura. Të prekurit nga gripi, rekomandohet që të mbajnë maska me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes./Alsat/

Exit mobile version