Telegrafi

Java e 12-të në Superligën e femrave në basketboll: Prishtina sërish fiton bindshëm ndaj Vëllaznimit

(Foto: basketbolli.com)

Pas Kupës, Prishtina e ka mundur sërish Vëllaznimin 83-55 (30:17, 14:20, 19:9, 20:9), në kuadër të javës së 12-të në Superligën e Femrave.

Skuadra prishtinase nga fillimi deri në fund ishte në epërsi dhe shënoi fitore të merituar. Te Prishtina u dalluan Alexis Tolefree me 21 pikë e shtatë kërcime dhe Era Shatri me 12 pikë e 12 kërcime, kurse te Vëllaznimi si zakonisht dyshja amerikane, Sarah Mgbeike me 25 pikë e 12 kërcime dhe Raven Baker me 25 pikë e gjashtë kërcime.

Prishtina ka tetë fitore dhe katër humbje, ndërsa Vëllaznimi nëntë fitore dhe tri humbje.

Penza ka mundur Kastriotin me shifrat 93:72 (15:17, 27:20, 29:16, 22:19). Pas një fillimi të baraspeshuar, skuadra pejane mori lojën në duar dhe e kontrolloi deri në fund, duke shënuar fitore bindëse.

Te Penza u dalluan Gabrielle Cooper me 25 pikë dhe 16 kërcime, Arbnore Përquku me 18 pikë e nëntë kërcime dhe Ashlie Howell me 11 pikë e 16 kërcime, ndërsa te Kastrioti u dalluan Andrea Iavrone me 21 pikë e 11 kërcime dhe Anita Grainca me 17 pikë e 10 kërcime.

Penza ka gjashtë fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa Kastrioti një fitore dhe 11 humbje.

Bashkimi ka vazhduar me fitore, duke mundur Trepçën në udhëtim 58-68 (18:18, 17:21, 13:18, 10:11). Takimi në fakt ka qenë mjaft interesant, por vashat prizrenase arritën të triumfojnë në fund.

Te Trepça u dallua Andraquay Quinnine me 31 pikë e nëntë kërcime, kurse te Bashkimi u dallua Lejzae Davidson me 32 pikë. Trepça ka një fitore dhe 11 humbje, ndërsa Bashkimi 11 fitore dhe një humbje.