Është publikuar paraqitja e parë e shkurtër e adaptimit filmik të romanit “Meg: A Novel of Deep Terror” të autorit Steve Alten, në të cilin Jason Statham lufton me një peshkaqen parahistorik.
Filmi i titulluar “The Meg” sjell tregimin për zhytësin Jonas Taylor (që e luan Statham), i cili ndodhet përpara përbindëshit më të madh dhe më agresiv në histori të mbretërisë së kafshëve.
Taylorin e përndjek ajo që sheh, por nuk mund t’ua dëshmojë të tjerëve. Atë e etiketojnë si një të çmendur që vuan nga stresi postraumatik.
Për këtë arsye, protagonisti vendos të kthehet në thellësitë e Oqeanit Paqësor për t’u përballur me tmerrin më të madh.
Jon Turteltaub e ka bërë regjinë, ndërsa skenarin e kanë përshtatur Dean Georgaris, Jon Hoeber dhe Erich Hoeber.
Regjisori Turteltaub është i njohur për realizimin e filmave, si “National Treasure” e “The Sorcerer’s Apprentice”.
Krahas Stathamit në filmin aksion fantastiko-shkencor luajnë edhe Li Bing-Bing, Cliff Curtis, Rainn Wilson, Ruby Rose, Winston Chao, Page Kennedy, Jessica McNamee, Olafur Darris Olafsson, Sophia Shuya Cai e Masi Oka.
Filmi “The Meg” do të nisë shfaqjen nëpër kinema në gusht të këtij viti. /Telegrafi/