Telegrafi

Jashtëtokësorët jemi ne!

Imagjinata e njeriut nuk është asnjëherë e sëmurë. Ajo vetëm se lundron në tru sikur anijet mbi ujë. nganjëherë valët ia prishin qetësinë dhe udhëtarët në të ndjehen të shqetësuar. Disa në mes tyre e përballojnë më mirë, kurse ekuipazhi nuk trazohet aspak, së paku biologjikisht. Me këtë nënkuptohet aluzioni im ndaj imagjinatës që nuk mund të jetë e sëmurë , e trazuar nganjëherë.

E fillova me imagjinatën, pasi në meditimet e mia kam ardhur në përfundim të padyshimtë se jashtëtokësorët janë vetëm qenie të imagjinuara dhe asgjë e keqe në këtë. Por, nëse frika nga ta bëhet pjesë e psikologjisë, atëherë, ja ku arritëm në gjendjen e udhëtarit në anijen që luhatet në valët përkundëse, por plotësisht të parrezikshme. E pra, nga dhe pse frikësohen një numër i udhëtarëve? Pse ndjehen keq?

Por, t’i rrekemi jashtëtokësorëve që për disa ngjallin gaz dhe interes pozitiv, e për disa paraqesin rrezik imiment. Për të tretët nuk ngjallin asgjë, as humor dhe… dëm për humorin e munguar.

Jashtëtokësorët janë imagjinatë, ëndërrim i bukur dhe nuk ka arsye t’i rrekemi etheve histerike se dikush paskësh pa një të tillë, me sy të ënjtur nga pagjumësia, sepse i kish pas ikur fluturakja dhe tani nuk dinte kah t’ia mban. Të tjerët nga ndonjë botë e tretë vijnë për të studiuar mundësitë e jetës për ta në tokën tonë, se e atyre qenka rrasur me banorë dhe tani duhet okupuar një botë të huajën, në këtë rast tonën.

,Por sikur jashtëtokësorët të jemi ne. Të parët tonë të kenë ardhur këtu me të njëjtat motive që tani njeriu, stërnipi i jashtëtokësorëve, e mbartë frikën e ngelur në subkoshiencë nga fakti se është vet pushtues. Nëse edhe harxhojmë pak më tepër mund intelektual, do të vijmë në përfundim real se toka jonë në fillim ishte më pranë Diellit, andaj nuk kishte kushte për jetë. Mirëpo, ngjashmëria e madhe me planetin tonë amë që gjendej dhe ndoshta akoma gjendet në një galaktikë të largët, i shtyri të parët tanë, që kishin mundësi të mëdha shkencore, të kalisin tokën tonë, t’i japin formë pak më vezore se sa që e kishte nga origjina, ta shtyjnë “pak” më larg nga Dielli, e me këtë t’ia zbresin për dhjetëra ose qindra shkallë temperaturën mesatare, duke mundësuar mot të përshtatshëm për strukturën e tyre kimike dhe ja: kështu filloi jeta në këtë tokë që sot e konsiderojmë tonën.

Por vallë, ku mbetën anijet fluturuese me të cilat zbarkuan këtu? Më së pari më vjen ideja se ajo ishte kthyer prapa me një numër humanoidësh, stërgjyshër tanë. Ose, ata pësuan dëm në të kthyer, ose gjetën ndonjë vend tjetër më të përshtatshëm e më të afërm me planetin amë. Por, ndoshta edhe mundësitë e tyre u drejtuan në kahe të tjera të hapësirës së pafund. Mandej, ardhje e tyre morri vite të tëra drite. Ata jetuan me gjenerata në anijen e tyre. Ata kaluan mijëra vite drite gjer sa zbarkuan këtu.

Një fluturake tjetër, për t’u nisur në drejtim të tokës sonë ndoshta është bërë pas mija vitesh dhe tani edhe disa mijëra vite që të arrin këtu… kemi të presim gjatë, shumë gjatë.

Më në fund të këtij tregimi, opinionit halucinant e sidomos ironik, rreth besimit se jashtëtokësorët ekzistojnë dhe enden mes nesh (më mirë keni kujdes nga jashtëtokësorët tanë!), do t’ju sugjeroj një propozim tjetër për shqyrtim:

Sikur krejt ne mos të jemi asgjë tjetër veçse një ëndërr e gjatë e ndonjë qenie hipersyperiore jashtëtokësore?!

Por, çka flas?! Ne shqiptarët me siguri jemi jashtëtokësorë me prejardhje, sepse s’na dhimbset kjo tokë. E falim sikur mos me qenë e jona, një copë atje, një pjesë këtu, një skaj andej…