Ministria e Drejtësisë e analizon mendimin e Komisionit të Venecias, për të ashtuquajturin Ligji për ndalimin e bombave që rekomandohet publikimi i materialeve. Para se t’i përgjigjet Komisionit, ministri Adnan Jashari thotë se do t’i pyesë partitë të cilat e kanë bërë marrëveshjen për ligjin.
“Bëhet fjalë për Ligje që janë harmonizuar në mes të katër partive politike me ndërmjetësim të ndërmjetësit Van Hoite. Raporti i Komisionit të Venecias analizohet dhe pas analizave në konsultim me të katër partitë politike, do të njoftohet Komisioni i Venecias ku edhe do të përcaktohen hapat e ardhshëm”, tha Adnan Jashari Ministër i Drejtësisë
Alsat M kërkoi qëndrim nga katër partitë politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës lidhur me rekomandimin e Komisionit të Venecias. Asnjëra nga katër partitë politike nuk dërguan qëndrimin e tyre. Sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së Oliver Spasovski i pyetur nga gazetarët për këtë çështje nuk dha përgjigje nëse do të kërkojnë ndryshime në ligj.
“LSDM-ja i dorëzoi të gjitha materialet në Prokurorinë Speciale Publike e cila duhet të ndërmarrë procedura të mëtejshme. Unë dua të mos ketë më materiale të tilla dhe kjo do të thotë se nuk do të kemi abuzim të të drejtave të njeriut”, deklaroi Oliver Spasovski, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.
Komisioni i Venecias ka kërkuar një revizion të Ligjit për mbrojtjen e privatësisë në pjesën e konfidencialitetit të bombave të pa publikuara.
“Ligji për mbrojtjen e privatësisë duhet të lejojë publikimin e çdo materiali që e prekë interesin publik, me disa përjashtime ngushtë të përcaktuara në lidhje me zbulimin publik të informacioneve të aspekteve intime të jetës private dhe familjare”, thuhet në Komisionin e Venecias për ligjin për mbrojtjen e privatësisë.
Mendimi i Komisionit të Venecias vjen pas takime të shumta që anëtarë të saj kishin në vend me autoritetet, mes të cilëve edhe ministrin e drejtësisë Adnan Jasharin./Telegrafi/
Gjithashtu lexo: Komisioni Venecias: Të vazhdohet me publikimin e ”bombave”