Site icon Telegrafi

Jashari: S’guxojmë të vetëkënaqemi

Hysi dhe Drenica dje në Merdarë luajtën baras 1-1, në kuadër të xhiros së dhjetë të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll.

Jashari thotë se bazuar në rrjedhjen e lojës dhe rastet e krijuara nuk është i kënaqur me lojën e skuadrës, por sipas tij, në një këndvështrim tjetër është i kënaqur me barazimin ndaj ekipit të Fadil Ademit.

“Nëse shikohet rrjedha e lojës dhe rastet e krijuara të ekipit tim jam i kënaqur, por nëse e shikojmë nga një këndvështrim tjetër në lojën e futbollit si për shembull ‘kur nuk shënon pëson’, si dhe nëse i shkojmë serinë e rezultateve tona, jam i kënaqur me paraqitjen dhe rezultatin ndaj Hysit”, ka thënë të hënën për Kosovapress, Jashari.

Kuqezinjtë nga Skenderaj nën drejtimin e teknikut drenicas nuk njohin humbje në pesë xhirot e fundit. Jashari thotë se ka besuar në ekipin që ka në dispozicion.

“Se pari dua të them se unë nëse nuk do të besojë në këtë ekip, atëherë nuk do të pranoja postin, por duke e parë edhe orarin e ndeshjeve kam besuar në rezultatet të mira. Fillimisht kam menduar për përballjen kundër Fushë Kosovës, ku edhe kam debutuar si trajner i skuadrës. Qëllimi im në atë ndeshje ishte të dalim të pamposhtur, objektiv të cilin e arritëm dhe pika e fituar në Fushë Kosova ishte kthesë pozitive dhe motivi i madh për ne për rezultatet favorshme në ndeshjet tjera”, tha ai.

Ish futbollisti i Drenicës, beson se skuadra e tij edhe në ndeshjet e ardhshme do të vazhdojë me performancë të mirë. Ai kërkon nga skuadra e tij angazhim maksimal në çdo ndeshje si dhe të shfaqin lojëra sa më të mira në mënyrë që të kënaqin publikun drenicas. Drenica në fundjavën që vjen luan kundër Dritës në “Bajram Aliu”.

“Nga futbollistët e Drenicës pres angazhim të pashoq në çdo ndeshje dhe kërkojë ndeshje sa më cilësore në mënyrë që kënaqim publikun tonë më atë që do të tregojmë në fushën e blertë. Dua disiplinë të madhe nga lojtarët. Edhe përkundër rezultateve shumë të mira që kemi arritur, nuk guxojmë të vetëkënaqemi dhe të qëndrojmë më këmbë në tokë duke shikuar tabelën momentale. Ne ndeshjen e radhës e luajmë kundër Dritës, por edhe pse luajmë në shtëpinë tonë kjo nuk garanton fitoren. Shpresoj se në radhët tona do të rikthehen futbollistët e sëmurë dhe të lënduar, sepse misioni ynë është që të grumbullojmë pika sa më shumë”, ka theksuar Jashari.

Ai ka falënderuar drejtuesit e klubit, tifozët “Shqiponjat e Zeza” për përkrahjen që po i japin skuadrës së Drenicës. /Kosovapress/Telegrafi/ 

Exit mobile version