Site icon Telegrafi

Jashari i ofron mbështetje Bahtirit kundër ndarjes së Kosovës

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka marrë mbështetjen e kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, për kundërshtimin e tendencave për ndarjen e Mitrovicës e të Kosovës, si dhe tendencave për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një takim që është mbajtur në kabinetin e kryetarit Bahtiri, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari i ka ofruar mbështetjen e tij të plotë për kundërshtimin e tendencave të kohëve të fundit për mundësin e ndarjes së Kosovës.

“Ndarja e Kosovës është e papranueshme prandaj ne të gjithë së bashku duhet të mobilizohemi dhe të angazhohemi për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovë dhe për respektimin e kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetari Jashari.

Kryetari Bahtiri e njoftoi kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari, për ecurinë e takimit të përfaqësuesve të institucioneve lokale, përfaqësuesit e subjekteve politike, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, përfaqësuesve te OJQ-ve, shoqërisë civile, intelektualeve etj që u mbajt të hënën me 23 korrik 2018, në të cilën u fol për tendencat dhe aspiratat e Serbisë për ndarjen e Kosovës.

Ai i tha kryetarit Jashari se të gjithë ishin unanim se nuk duhet biseduar dhe nuk mund të ketë ndarje të Kosovës por duhet punuar për fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe respektimin e Kushtetutës së saj./Telegrafi/

Exit mobile version