Site icon Telegrafi

Jashari: Në bashkëpunim me aleatët jemi gati t’i shërbejmë paqes dhe të parandalojmë luftërat

Në kuadër të konferencës vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të FSK-së në drejtim të zhvillimit të kapaciteteve të reja dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.

Jashari e vlerësoi mbështetjen e partnerëve si thelbësore për suksesin e FSK-së, duke shprehur se projektet e përbashkëta janë duke avancuar përmes koordinimit të vazhdueshëm.

“Mbështetja e juaj deri në këtë fazë ka qenë thelbësore në zhvillimin e Forcës së Sigurisë dhe së bashku e kemi shndërruar në histori suksesi”, u shpreh ai.

Sipas tij, një nga prioritetet kryesore të FSK-së është përkushtimi ndaj trajnimeve dhe stërvitjeve ekskluzivisht me shtetet anëtare të NATO-s, përcjell Telegrafi.

“Ky është tregues i seriozitetit tonë për fokusin tonë strategjik për anëtarësimin në Aleancën më të rëndësishme ushtarake në botë. Përderisa përgatitemi të hyjmë në një fazë të fundit të tranzicionit, ne gjithashtu hyjmë në një fazë komplekse të zhvillimit të aftësive të reja dhe mirëmbajtjes së kapaciteteve aktuale”, u shpreh ai.

Gjenerallejtënant Jashari theksoi rëndësinë e gatishmërisë për të përmbushur misionet kushtetuese dhe ligjore, si dhe për të mbështetur Aleancën në sfidat e sigurisë rajonale dhe globale.

“Prandaj, është thelbësore që të vazhdojmë të kemi përkrahjen tuaj dhe së bashku të rrisim kapacitetet tona të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë për reagim në kohë. Vetëm kështu mund të jemi gati që t’i shërbejmë paqes dhe të parandalojmë luftërat”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version