Kreu i Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar pasi KQZ, ka kërkuar ndaljen e kamerave nëpër shkolla në këtë komunë ditën e zgjedhjeve – pasi sipas tyre ky veprim është i kundërligjshëm në cenimin e lirive dhe të drejtave të votuesve.
Jashari veprimin e KQZ-së e ka quajtur të papranueshme.
Në një shkrim në Facebook, Jashari ka thënë se kamerat do të ishin në shërbim të ruajtjes së votës dhe votimit të rregullt demokratik, duke evituar çdo përpjekje për të deformuar vullnetin qytetar.
“Për me tepër, Komisioni Qendror Zgjedhor, përmes zyrtarit, Nexhmedin Hyseni ka dërguar në drejtim të KKZ- Skenderaj një e-mail përmes së cilës ka urdhëruar KKZ-në që të ndalen kamerat në vendvotime, me pretekstin që “ky veprim është i kundërligjshëm në cenimin e lirive dhe të drejtave të votuesve”. Një shkresë e tillë e dërguar një ditë para zgjedhjeve, vetëm për komunën tonë, është e pa pranueshme dhe kundër demokracisë që synojmë të ndërtojmë”, tha Jashari.
Ai ka pyetur, ‘nëse prania e kamerave në vendvotime (klasa) gjatë votimit është shkelje atëherë përse këto kamera janë vendosur dhe funksionojnë në shkollat e Kosovës dhe janë funksionale gjatë procesit mësimor’.
Sipas tij, prania e kamerave në klasa evidenton çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë procesit të votimit apo numërimit duke theksuar se nuk ka aspak të bëjë me shkelje të privatësisë sepse në kabinën e votimit aty ku voton qytetari nuk ka kamera dhe kështu votimi është i fshehur.
Jashari ka kërkuar nga KQZ që të ndërmerr hapa konkret, konformë legjislacionit në fuqi duke dënuar e eliminuar çdo keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“Pavarësisht veprimeve individuale që bëhen për qëllime të caktuara politike të gjithë ne e kemi obligim që të mbrojmë demokracinë dhe funksionimin normal të shtetit tonë të ndërtuar me shumë sakrificë”, ka shkruar Jashari.