Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila gjatë një tubimi elektoral në Deçan e quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”.
Jashari e akuzoi Gërvallën për shpifje dhe deponim të dokumenteve të rrejshme kundër UÇK-së, duke e quajtur atë “fundërrinë” dhe duke kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti si “anti-UÇK”.
“Kemi një ministre e cila ka shpifur, ka deponuar dokumente të rrejshme kundër luftës së UÇK-së dhe krerëve të saj. Me keqardhje e them se e kemi toleruar mjaftueshëm, duke respektuar gjithmonë vlerën dhe kontributin e Jusuf Gërvallës. Por, kjo ministre me deklaratat e saj është një fundërrinë. Ndoshta përgjigjja më e mirë për të është ajo që thuhet në filozofinë popullore: ‘Prej skënderi beteri’. Dhe kjo po paraqitet si një beter,” deklaroi Jashari.
Ai shtoi se deklaratat e Gërvallës nuk janë vetëm fyerje ndaj Ramush Haradinajt, por ndaj vetë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo nuk e fyen Ramush Haradinajn, por luftën e UÇK-së. Nëse ka një komandant të devotshëm dhe të merituar, ai është Ramush Haradinaj. Lufta, sakrifica dhe kontributi i tij si komandant dhe si familje kanë respektin e gjithë shqiptarëve,” tha Jashari.
Deklarata e ministres Gërvalla ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, duke nxitur debat për vlerësimin e figurave të UÇK-së dhe trajtimin e trashëgimisë së saj.