Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se dy rastet pozitive me coronavirus në Skenderaj, që janë edhe të parat në këtë komunë, janë nga fshati Burojë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Jashari ka thënë se të dy të prekurit janë me mbiemrin Thaçi.
“Pacientët janë nga fshati Burojë, lagjia Thaçi, dhe janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.Të dashur banorë të fshatit Burojë kërkoj nga ju që të mos lëvizni nga shtëpitë e juaja deri sa të marrim vendime si shtab emergjent për hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë Jashari.
Ai ka thënë se deri të infektimi i tyre ka ardhë pasi që një mik i afërt i familjes nga Prishtina ka qenë për vizitë në familjen e tyre.
“Rastet janë rast kontakti, një person ka ardhë nga Prishtina mysafir në familje dhe janë nënë e bijë që janë infektuar dhe kanë dal pozitiv, me gjasë mund të dalin komplet familja tash. Ne i kemi marrë masat. E kam dërguar drejtorin e Shëndetësisë me gjithë ekipën e QKMF-së kanë shkuar të familja atje edhe me policinë me e fut në karantinë komplet atë lagje sepse është mundësia me nda vetëm lagjen, është një Lagje e Burojës, quhet Lagjia Thaçi. Nesër në ora 11 e kam thirr Shtabin Emergjent për të pa se cilat masa do ti ndërmarrim dhe si do të vazhdojmë tutje”, ka thënë Jashari.
Ai ka apeluar tek qytetarë të kenë kujdes, dhe të qëndrojnë në shtëpi.
“Të dashur qytetarë për çdo veprim do të informoheni me kohë! Ju lutem të qëndroni në shtëpi! Bashkë do t’ia dalim”, ka shkruar Jashari./Telegrafi/