Telegrafi

Jasharaj: I tërë sistemi arsimor i është përgjigjur grevës njëditore

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj në një konferencë për media tha se në gjithë sistemin arsimor, me përjashtim të çerdheve është mbajtur greva një ditore.

Jasharaj tha se ende nuk kanë pasur ndonjë përgjigje nga Qeveria e Republikës së Kosovës për kërkesat e tyre.

Lexo po ashtu Ministria e Financave shpjegon procedurat deri te plotësimi i kërkesave të SBASHK-ut

“I tërë sistemi arsimor i janë përgjigjur në numër maksimal grevës njëditore për sot. Edhe shkollat që nuk kanë qenë pjesë e SBASHK-ut i janë bashkuar grevës me të drejta të barabarta. Nuk kemi deri tani ndonjë komunikim me institucionet e shtetit dhe presim nesër që të kemi një komunikim me ta. Nëse nuk realizohen kërkesat tona deri më 13 prill,  i tërë sistemi arsimor do të jetë në grevë në kohë të pacaktuar, përveç çerdheve”, ka thënë Jasharaj.

Ai po ashtu tha se janë duke e përcjell me kujdes çdo reagim të Ministrisë së Financave.

“Po e përcjellim me kujdes situatën dhe reagimin e Ministrisë së Financave. Reagimi i këshilltarit ishte mjaft tendencioz ndërsa reagimi i ministrisë ishte më i qartë”, tha ndër të tjera Jasharaj. /Telegrafi/

Foto: Arkiv