Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin konfirmoi se deri tani rreth 80 për qind e të punësuarve në sektorin e arsimit janë vaksinuar së paku me dozën e parë.
Jasharaj theksoi se janë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor dhe janë pro nisjes së mësimit me prezencë fizike në shkolla, por sipas tij, kjo varet nga situata me pandeminë dhe vendimit të institucioneve shëndetësore në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.
“Ajo që na gëzon është fakti se ka rritje të vazhdueshme të të vaksinuarve të punëtorëve të arsimit… në bazë të deklaratave mund të them rreth 80 për qind e punëtorëve e kanë marr të paktën dozën e parë. Është edhe kjo javë, me ç’rast do të mund të rritet numri i të vaksinuarve…”, u shpreh Jasharaj për Telegrafin.
Ai tha më tej se mësimdhënësit janë pro nisjes së mësimit në shkolla, por sipas tij, kjo nuk varet nga ata por nga situata me pandeminë dhe vendimit të institucioneve shëndetësore në bashkëpunim me MASHTI-n.
“Uroj të mos kemi telashe të mëdha, por fillimi i viti të ri shkollor me prezencë fizike varet nga situata me pandeminë”, tha ai.
Ai tha se mësimi online, përveç që është i papërshtatshëm për nxënësit për shkak të shumë rrethanave, është sfidues edhe për mësimdhënësit.
Ndryshe, ditë më parë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka ftuar të gjithë punëtorët e arsimit që vaksinohen, ndërsa theksoi se meqë vendi është në situatë pandemie, paraprakisht duhet të plotësohen kushtet për fillim sa më të mbarë të vitit shkollor.
Nagavci theksoi se rritje të numrit të të vaksinuarve nga radhët e punëtorëve të arsimit. /Telegrafi/