Site icon Telegrafi

Jasharaj i reagon sërish Nagavcit: Mësimdhënësit duan të avancohen, por pa i nënçmuar

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka reaguar ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila është shprehur e bindur se mësimdhënësit do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar, që nënkupton t’i nënshtrohen testit me shkrim.

Në reagimin e tij, Jasharaj ka thënë se pajtohet që mësimdhënësit të avancohen, por se çdo vendim duhet të merret me marrëveshje dhe pa i nënçmuar punëtorët e arsimit.

“Punëtorë të arsimit, duke ruajtur besimin që kam nga ju dhe duke iu përgjigjur interesimit të shumë mediave, e në pa mundësi që të jem në krye të këtyre deklarimeve për secilën veç për arsye të këtij  gripit sezonal, po deklarohem publikisht se nuk kemi as edhe një informatë zyrtare se çfarë o mendon  ministrja Nagavci me bashkëpunimin me Shqipërinë, me të cilën Qeveria e ka bashkëpunimin me të keq të mundur dhe me angazhimet duke përmendur edhe testin me shkrim”.

“Ndoshta, duke joshur me gradimin, e ka plan për t’ju dërguar e për t’ju degraduar të gjithëve me testin me shkrim për njohuritë tuaja . Ajo po vendos vet pa përfaqësues të SBASHK-ut, të prindërve, të kolegjiumit të drejtorëve, të Asociacionit të Komunave. Kujdes. Duam avancim, por me marrëveshje dhe pa degradim e nënçmim të gjithë arritjeve tona në gjithë ato vite të studimeve”, thuhet në komunikatën për media.

Lexo po ashtu Nagavci: Jam e bindur se ka mësimdhënës që do t’i nënshtrohen testimit

Jasharaj më tej ka thënë se publikisht tash e disa muaj po kërkon takim me ministren Nagavci për të shpalosur kërkesat e punëtorëve të arsimit, por “ajo vazhdon ta mbaj inatin për grevën dhe nuk pranon takime”.

“Punëtorët e arsimit duhet të dinë edhe ca të vërteta të tjera  nga ‘miqësia’ për ta e Ministres Nagavci. Ajo  kurrë, edhe pse e kishim lutur të bëhet zë i arsimit në Qeveri, nuk e tha as edhe një fjalë për kushtet e punës me shkumës e shpuzë. Ajo kurrë nuk kundërshtoi ngritjen ironike të koeficientit nga 105 në 1010 euro, që në arsim shton zhgënjimin dhe arsye për ta lënë këtë profesion, ngase rritja është nënçmuese për vetëm 28 euro”.

“Punëtorët e arsimit duhet ta dinë se  Ministrja nuk është zëri i tyre në Qeveri edhe pse SBASHK e kishte lutur vazhdimisht që ta bënte këtë. Ministrja Nagavci duke e parë se  në Këshillin  Shtetëror për Licencim  nuk mund t’i kalojë planet e saj  kundër mësuesve të Kosovës pa u bërë publike e pa u zhvilluar debate udhëzoi bashkëpunëtorët e saj dhe do të tjerë dhe e hoqën nga përbërja e Këshillit Shtetëror  të Licencimit të Mësimdhënëse përfaqësuesin e vetëm të tyre, pra SBASHK-un e pse?”.

“Për të bërë eksperimente e për të vendosur çdo gjë kundër punëtorëve të arsimit e pa pasur kush të kundërshtoj e të bëj publike  këto angazhime të saj. Në  prillin e vitit të kaluar ishte vendosur të shpallej ftesa për trajnime dhe ishte vendosur që deri atëherë trajnimet  që janë në proces të vazhdonin, por zonja Nagavci  kishte ndalur këtë  mundësi. Një vit e më  shumë kaluan  dhe  ende nuk është saktësuar  se cilat trajnime do të licencohen  dhe nuk dihet se cilat do të licencohen sepse përfaqësuesi i punëtorëve të arsimit nuk është në Këshillin  Shtetëror të Licencimit të Mësimdhënësve. Nuk është në këtë Këshill  sepse i ka penguar zonjës Nagavci e të tjerëve që kanë dashur ta nënçmojnë mësuesin e ta mbajnë nën tensionin e të ashtuquajtur test”, thuhet mes tjerash. /Telegrafi/

Exit mobile version