Telegrafi

Jasharaj: Kontrata mbron ata që kryejnë punën me dinjitet

Foto: Arkiv

Kontratat e përhershme për mësimdhënësit, të cilat do të jenë unike për tërë Kosovën, nuk janë garanci se ata mund të çlirohen dhe ta neglizhojnë punën.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se kontratat e përhershme nuk duhet të krijojnë komoditet tek mësimdhënësit sepse, sipas tij, në arsim ka vend vetëm për ata që e kryejnë punën në mënyrë adekuate. Kjo kontratë, sipas Jasharajt, do të prezantohet këtë javë, të mërkurën, shkruan Epoka e Re.

“Unë u drejtohem mësimdhënësve të mos ndjehen të relaksuar dhe komodë sepse edhe në kontratën tonë, edhe në ligjin parauniversitar, thuhet se kontrata i mbron vetëm ata që e kryejnë punën me dinjitet dhe i zbatojnë të gjitha rregullat, në të kundërtën asnjë kontratë nuk e mbron atë që nuk është punëtor”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se SBASHK-u e mirëpret dizajnimin e kësaj kontrate meqë, sipas tij, me fillimin e zbatimit të saj, edhe pse në komuna mund të ketë ndryshime të qeverisjes, ata nuk do të mund të luajnë më me mësimdhënësit.

“Në tërë Kosovën do të vlejnë rregulla të njëjta. Askush nuk do të ketë mundësi të luajë me mësimdhënësit që janë në vende adekuate të punës, por do të jenë stabilë. Ky është hap i mirë nga ana e MASHT-it.

Kjo nuk vlen për fillestarët dhe ata që nuk kanë përgatitje adekuate”, ka treguar Jasharaj. Ai është shprehur se kjo kontratë mund të mos pritet mirë nga disa Drejtori Komunale të Arsimit, sepse sipas tij, janë mësuar të japin kontrata sipas tekave të tyre. /Telegrafi/