Nuk ka marrëveshje për ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve as pas pas një takimi që pati me kryeministrin Albin Kurti dhe me drejtoreshën e Unionit të Sindikatave të Arsimit në Europë, Susan Flocken.
Drejtoresha e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), Susan Flocken po qëndron sot në Kosovë.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se pavarësisht përpjekjeve të zonjës Flocken Qeveria nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj.
“Sot takimi ishte i dedikuar për zonjën Flocken. Ishte një takim për të cilin ne menduam se më në fund, në emër të Evropës, qeveria duhet të ndryshojë kahun e saj dhe qëndrimin… Me gjithë mbështetjen e Flocken, duket se qeveria nuk i ka ndryshuar qëndrimet e veta. E kam thënë dhe po e mbaj fjalën se asnjë takim me të tjerët nuk do të mbahet pa media dhe ky takim ishte i sponsorizuar nga Flocken dhe Brukselit, dhe përpjekjet e saj maksimale nuk kanë bërë që qëndrimet e Qeverisë të ndryshojmë”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj ka përsëritur qëndrimin se orët e humbura nga greva nuk do të zëvendësohen.
“Kontrata definon se orët e humbura në grevë nuk zëvendësohen, ndërsa në situata tjera si pandemia zëvendëson. Por, sa i takon grevës precizohet se jo. Ne urojmë që Qeveria të reflektojë pas kësaj vizite, por situata është alarmuese, por orët e humbura nuk zëvendësohen, por kontrata e precizon se orët e humbura nuk zëvendësohen dhe ne nuk guxojmë si palë nënshkruese ta shkelim kontratën që vetë e kemi nënshkruar”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj ka pranuar se greva ka dëmtuar procesin mësimor, por sipas tij fajtor kryekëput i gjithë kësaj është Qeveria Kurti, e cila nuk reflektoi përballë kërkesave të SBASHK-ut.
Ai ka pasur edhe një fjalë për protestat e paralajmëruara të prindërve ndaj grevës në arsim.
“Uroj prindërve të Kosovës pjesë e të cilës jemi ne që protestën ta bëjnë dhe t’ia dedikojnë qeverisë, sepse ne çdo ditë jemi angazhuar për dialog, e kemi lutur edhe Avokatin e Popullit… Prindërit do të ishte mirë që reagimin e tyre ta drejtojnë kah fajtori, i cili është Qeveria Kurti, e cila me barrikadimin e saj nuk po lëviz asnjë milimetra karshi kërkesave të SBASHK-ut”, ka thënë Jasharaj./Telegrafi/